Kreu i Partisë së Lirisë ka mbërritur pak minuta më parë në zyrën e Sali Berishës. Siç shihet dhe nga pamjet, Ilir Meta ka mbërritur në këmbë dhe ka kaluar mes simpatizantëve të opozitës, të cilët janë grumbulluar në oborrin e selisë së PD.
Vetë Berisha është nisur në këmbë nga shtëpia e tij dhe rreth orës 11.00 ka mbërritur në selinë e PD. Ai është shprehur se Tirana po zien këtë të martë dhe qytetarët janë derdhur në shesh për protestën e tij.

Po ashtu në selinë e PD, kanë mbërritur Tedi Blushi si edhe zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho. Në orën 12, opozita ka lajmëruar një protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku është vendosur perimetri i sigurisë për Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Brohorima, ovacione dhe thirrje kundër kryeministrit Edi Rama janë dëgjuar në oborrin e selisë së PD. Po ashtu, aty është vendosur dhe një furgon me regjinë e protestës, i pajisur me sisteme audio dhe altoparlantë, nga ku mendohet se do të flasin organizatorët.