Mediat italiane kanë rikthyer në vëmendje vdekjen e 29-vjeçarit shqiptar, Refik Mata, i cili humbi jetën më 17 dhjetor të vitit që lamë pas në burgin e Tarascon në Francë.
Familjarët e të ndjerit të bindur se Mata nuk ka kryer vetëvrasje kanë dërguar ankesa në organet përkatëse, përfshirë dhe në Ambasadën e Tiranës.
Refik Mata ishte dënuar me 5 vite burg për vjedhje. Autoritetet njoftuan familjarët se i riu kishte kryer vetëvrasje në orët e para të mëngjesit të 17 dhjetorit, duke varur veten.
Megjithatë, familja Mata nuk dorëzohet dhe duan të kuptojnë se çfarë ndodhi realisht. Ata bënë një ankesë në Gjykatën e Tarascon e më pas kontaktuan me ambasadën shqiptare.
“Po jua përsëris, këmbëngul i vëllai, Bekimi, i cili nuk mban dot emocionet – ,vëllai im nuk ka bërë vetëvrasje. Atë e kishin rrahur. Në fytyrë dukeshin shenjat. Nuk ndihej mirë në burgun ku ishte për shkak të mosmarrëveshjeve me gardianët e burgut.
I acaruar nga situata, ai gëlltiti 3 brisqe rrojesh për t’u vetëlënduar. Donte të tërhiqte vëmendjen me rastin e tij. Një natë më përpara vdekjes folëm në telefon deri në mesnatë. Me një nga ato telefonët që futen fshehtas në burgje. Në orën 5 të mëngjesit kishte qenë aktiv për herë të fundit në Ëhatsapp. Më pas na telefonuan nga burgu: Refiku u gjet i pajetë”.
“Duam të dimë se çfarë ka ndodhur, a ka përgjegjës për vdekjen e tij. Kemi frikë se fshehin shumë gjëra dhe se historia do të harrohet. Kërkojmë të vërtetën dhe të vihet drejtësi. Refiku ishte vetëm 29 vjeç, e kishte jetën përpara,” tha Bekim Mata, i vëllai i të ndjerit.