
Figurat më të larta të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca kanë qenë sot në Reçak, ku kanë zhvilluar homazhe për nder të 25 vjetorit të masakrës së Reçakut.
Osmani ka kërkuar drejtësi për viktimat e pafajshme, teksa thotë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim.
Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit. Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin William Walker që u bë zëri i viktimës kur në në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, tha ajo.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit të Serbisë.
“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës.
Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, e edhe dëshmorët që rënë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, tha Konjufca.
Ndërsa Kurti, tha në një deklaratë të shkurtër për gazetarët se Serbia është përpjekur të deformojë të vërtetën dhe të justifikojë krimin e bërë.
“Më 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë, pat ndodhur ky krim makabër ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat. I kemi edhe 11 ushtarë të UCK’së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj po e theksoj edhe një herë rëndësinë e vërtetës nga mendja, sytë, veshët dhe goja e ambasadorit William Walker, të cilit i jemi përjetë falënderues e mirënjohës për shkak se në një moment vendimtar historik për popullin tonë e foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha ai.
Si sot 25 vite më parë, forcat paramilitare serbe vranë pa paralajmërim 45 burra, gra, pa dallim, në Reçak të Kosovës, mes të cilëve dhe një djalë 12 vjeçar. Masakra u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, e cila solli edhe ndërhyrjen e NATO-s.
Shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte ngritur shqetësimin për krimet kundër njerëzimit që po kryheshin në Kosovë. Për këtë u ndërmor misioni ushtarak që solli më pas edhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.