Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“Ku ishe ti kur ne luftonim për demokraci,” Flutura Açka: 30 vite më pas dhe uzurpatorët dhe shqyesit prapë aty, veçse tani me kostume të shndritshme (E plotë)

Shkruar nga Newsbomb
“Ku ishe ti kur ne luftonim për demokraci,” Flutura

22 Marsi është një ditë e shënuar për demokratët. 30 vite më parë, Partia Demokratike do të arrinte fitoren e parë në zgjedhjet e dyta pluraliste që zhvilloheshin në vendin tonë.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe deputetja Flutura Açka. Ajo me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan demokracia është një sistem, por që është kalbur nga vetë politikanët për të përfituar.

“Demokracia është sistem, dhe ne e kemi kalbur vetë sistemin: ca për të pëfituar, ca duke heshtur për përfituesit për të përfituar edhe vetë, ca duke lënë puplat për një jetë më të mirë, ca të drejtur nga “veset” e diktaturës përndoqën të tjerët, ca me nostalgjitë e vjetra ndaj dhunës (që e shpallëm rregull) i vumë pengesa të llahtarshme, ca shërbyen me heshtje, e cila i shërbeu po aq zhbamjes” shkruan Açka.

Postimi i plotë i Açkës:

22 Mars 1992 - 22 Mars 2022

- “Ku ishe ti kur ne luftonim për demokraci,” më pyesin ndonjëherë naivë, të cilët nuk më njohin, ose cinikë, që e pandehin dekokracinë, ose edhe vetë PD-në “tokë e xanun”, të cilën ua kam shkelur me “të padrejtë” me praninë time të muajve të fundit.

- “Isha duke shkruar reportazhet e demokracisë, ndërsa ju rendnin të shqyenit copën, e cila, siç e kishit bindur veten, ju takonte.”

30 vite më pas unë prapë kam fjalën dhe uzurpatorët dhe shqyesit prapë aty, veçse tani me kostume të shndritshme, kollare mëndafshi, vila, para të pataksuara e moral vjellëndjellës.

Vetëm një brez i ri vajzash e djemsh, të mirëedukuar, të pandyer nga shkolla jonë politike 30-vjeçare, me ide dhe akte të larta patriotike, duke përfshirë edhe rolin e madh të Diasporës së Re shqiptare, do ta rikonturojë demokracinë tonë.

Sot ajo është një aliazh që kutërbon erë, nuk e kisha ndier pa iu afruar. Tani e njoh dhe kam keqardhje për 30 vite kinse dhe me vërtimat anësore rrotull demokracisë, jo drejtpërdrejt në zemër të saj, siç bëjnë të përgjegjshmit para historisë së tyre.

Demokracia është sistem, dhe ne e kemi kalbur vetë sistemin: ca për të pëfituar, ca duke heshtur për përfituesit për të përfituar edhe vetë, ca duke lënë puplat për një jetë më të mirë, ca të drejtur nga “veset” e diktaturës përndoqën të tjerët, ca me nostalgjitë e vjetra ndaj dhunës (që e shpallëm rregull) i vumë pengesa të llahtarshme, ca shërbyen me heshtje, e cila i shërbeu po aq zhbamjes.

Është bërë shumë, por sa pak është bërë përderisa flasim ende për nivelin e bukës në mbi 90% të popullsisë, dhe për nivelin e offshore-eve për 10% të popullsisë.

A nisëm njëlloj me 22 Mars 1992?

Fotot: Reportazhi im i shkruar mbrëmjen e 22 Marsit 1992, Ballina e gazetës “Fjala e lirë” ku është botuar.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll