Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, ka deklaruar se u paralajmërua nga drejtues të lartë të Policisë së Tiranës, se Garda kishte urdhër për të qëlluar protestuesit më 21 Janar, 4 vjet më parë.
“Kishte një skenar të qeverisë për ta shitur këtë si grusht shteti. Funksionoi i gjithë aparati shtetëror për ta acaruar dhe provokuar turmën, për ta përdorur reagimin si reagim kundër grushtit të shtetit. Një nga drejtuesit, o drejtori ose nëndrejtori i Policisë së Tiranës më afrohet për atë që më njihte dhe më thotë, Tani mundohu t’i mbash njerëzit mos të hyjnë në Gardë, se Garda ka urdhër për të qëlluar në trup”.
Gaçi shprehet se nuk ka asnjë dyshim, se pas urdhërit që ai e cilëson “politik” qëndrojnë ish-ministri i Brendshëm Basha dhe ish-kryeministri Berisha.
“Kjo ishte një vrasje me urdhërese politike. Kanë marrë urdhër nga ministri dhe kryeministri i atëhershëm. Kjo është një ngjarje që e bën dhe shumë më të vështirë edhe nga ana e gjykatësve”, ka theksuar Gaçi për ‘’Ora News’’.