Hapësire reklamuese

Politikë

"21 Janari" do hetohet nga SPAK, Rama: Sot u kthye në jetë shpresa e varrosur e shqiptarëve

Shkruar nga Newsbomb
"21 Janari" do hetohet nga SPAK, Rama: Sot u kthye në jetë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi vendimin e Gjykatë së Lartë e cila vendosi sot që hetimet për vrasjen Aleks Nikës në 21 Janar 2011, përpara Kryeministrisë, të kryhen nga SPAK. Kreu i qeverisë shkruan se vendimi i Gjykatës së Lartë sot ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! “Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë. Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë. Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët.” Lexo edhe: Gjykata e Lartë i vë vulën: Vrasja e Aleks Nikës në 21 Janar do të hetohet nga SPAK! Gjykata e Lartë ka vendosur që hetimet për vrasjen e protestuesit socialist Aleks Nika në 21 Janar 2011, përpara Kryeministrisë, të kryhen nga SPAK. Muaj më parë Prokuroria e Posaçme refuzoi dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës, për mos-kompetencë. Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Strasburgut në Nëntor 2023 që theksoi se vrasja e Aleks Nikës ishte një krim shtetëror i pazbardhur dhe duhej të hetohej nga drejtësia shqiptare. Kjo bëri që gruaja e protestuesit të vrarë Aleks Nika, Rajmonda Nika t’i drejtohej Gjykatës së Lartë dhe të kërkonte nga organi më i lartë i drejtësisë në Shqipëri që të urdhëronte SPAK që të merrte përsipër dosjen dhe të niste hetimet. Palët janë ballafaquar këtë të martë në Gjykatën e Lartë dhe trupa e gjyqtarëve kanë urdhëruar që Prokuroria e Posaçme të regjistrojë procedimin penal të kërkuar dhe të nisë marrjen e përgjegjësisë penale nga personat e përfshirë në krimin shtetëror të 2011. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika dukej i kënaqur me vendimin e sotëm pasi ata nuk i kanë ndaluar asnjëherë përpjekjet për zbardhjen e këtij krimi shtetëror. “Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet që të gjykohej nga Gjykata e Lartë. Vendimet e saj janë përfundimtare. Ata vendosën që kërkesa jonë të hetohet nga SPAK. Ka dhe një vendim të Strasburgut që detyron edhe SPAK edhe gjykatën”, u shpreh Mark Nika. Po ashtu, edhe gruaja e protestuesit të vrarë tha se do të dorëzojnë në SPAK materiale audio që janë autentike, me shpresën se çështja do të trajtohet siç e meriton. “E prisnim sepse e drejta gjithmonë fiton. Shpresojmë të vazhdojë dhe të trajtohet ashtu siç e meriton. Ne kemi kallëzuar të gjithë zinxhirin, nga Sali Berisha e të gjithë me radhë. SPAK është krijuar për të hetuar më të fuqishmit. Kemi disa materiale audio dhe këtë kemi pritur, do i depozitojmë atje (në SPAK)”, tha Rajmonda Nika.  

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese