Presidentja e Forumit të Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack me anë të një videomesazhi ka inkurajuar shqiptarët që të mbështesin Partinë Demokratike, duke votuar numrin 9 në zgjedhjet e së dielës.
Sipas saj, PD është partia që do të sjellë ndryshimin dhe do të luftojë korrupsionin.
“Ju inkurajoj të shkoni të votoni ditën e diel. Votoni për numrin 9, votoni për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën. Jam e sigurt se kjo parti ka mësuar nga historia e saj dhe do të sjellë ndryshimin. Do të luftojë korrupsionin dhe do të jetë e interesuar në çështjet e përditshme, për edukimin, për shëndetësinë, për çdo gjë që e bën jetën në Shqipëri sa më mirë që është e mundur. Që dhjetra mijëra të rinj të mos vazhdojnë të lënë vendin. Shpresoj shumë se ju e kuptoni mesazhin tim se unë dua ndryshimin dhe jam e bindur se edhe ju gjithashtu e doni ndryshimin”, shprehet Doris Pack në mesazhin e saj.
Edhe Presidenti i PPE-së Donald Tusk mbështeti më herët fitoren e PD në zgjedhje, duke u shprehur se Basha sipas tij do të realizojë integrimin e Shqipërisë në BE.
“Lulzim Basha do të realizojë integrimin në Bashkimin Europian”, – tha Presidenti Tusk.
Mesazhet e përfaqësuesve të lartë të BE-së vijnë pak ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, kur do të vendoset fati i Shqipërisë për integrimin në familjen europiane dhe zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.