
Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e Arbër Çekaj, pronar i kompanisë së bananeve “Arbri Garden”, për të mos pranuar gjykimin e shkurtuar. Më herët, Çekaj u dënua me 21 vite burg por për shkak se pranoi gjykim të shkurtuar, u dënua me 14 vite.
Pas disa seancash në Gjykatën e Apelit, të cilat janë shtyrë për mungesë të avokatëve ose për mungesë të vetë të dënuarit, vendimi për të është shtyrë disa herë, raporton newsbomb.al. Sot, Arbër Çekaj ka dalë para togave të zeza të Apelit, të cilët kanë rrëzuar kërkesën e tij për mos pranim të gjykimit të shkurtuar.
Nëse kërkesa e Arbër Çekaj do të pranohej, atëherë gjykimi i tij do të riniste nga e para. Por, gjyqtarët kanë rrëzuar kërkesën e Çekajt dhe avokatëve të tij, Maks Haxhia dhe Neshat Fana. Për shkak të këtij vendimi, pronari i kompanisë së bananve që u kap me 613 kg kokainë, është larguar nga seanca.
AI ka thënë se nuk do të mbrohet më nga avokatët Maks Haxhia dhe Neshat Fana. Seanca e radhës për të do të mbahet më datë 7 maj, raporton newsbomb.al.
Kujtojmë se, Arbër Çekaj u arrestua nga policia për 613 kg kokainë në Portin e Durrësit në vitin 2018. Droga ishte fshehur në kontenierë, ndërsa Çekaj përdorte emrin e kompanisë së tij të importit të frutave për të fshehur transportin e drogës.
Ai u arratis nga Shqipëria duke ndërruar mbiemrin nga Arbër Çekaj në Arbër Jansen. Në shkurt të 2018, ai kap në flagrancë nga policia gjermane në një banesë dykatëshe. Gjithashtu si të përfshirë në trafikim janë arrestuar edhe menaxheri i kompanisë Donaldo Lushaj dhe shoferi i kamionit Armando Pezaku.
Edhe për këta dy persona është dhënë dënimi me 10 vite e 8 muaj burg për Donaldo Lushajn, dhe 8 vite e 8 muaj burg për shoferin e kamionit Armando Pezakun.