
Sot (13 janar) shënohen 111 vite nga krijimi i Policisë së Shtetit.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, në Akademinë e Sigurisë u zhvillua një aktivitet, ku të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Gjatë fjalës së tij në kuadër të 111-vjetorit të Policisë së Shtetit, ministri Taulant Balla tha se 2023-i ka qenë viti me nivelin me të lartë të sigurisë në dekada në Shqipëri, teksa paralajmëroi që shumë shpejt dhe në Policinë e Shtetit do të ketë modele të përdorimit të inteligjencës artificiale.
“Viti 2023 ishte viti me nivelin më të lartë të sigurisë publike në shumë dekada. Këtë arritje, nuk duhet të jemi ne që duhet ta promovojmë, por detyra jonë është të thellojmë rezultatet e arritura deri më tani”, nënvizoi Ministri i Brendshëm.
Balla tha se qeveria do të vazhdojë mbështetjen ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Edhe gjatë vitit 2024 qeveria do të mbështesë policët me kredi me 0% interesi për banesa, tha ministri i Brendshëm Taulant Balla.
"Kreditë e para pa interes për banesa, i kanë marë 94 punonjës të Policisë së Shtetit. Do të vazhdojnë gjatë 2024 edhe për të paktën 300 punonjës të Policisë së Shtetit dhe për të vazhduar dhe më shumë në vitin 2025, për të zgjidhur një prej problemeve më akute të Punonjësve të Policisë së Shtetit”, u shpreh Balla.
Më tej ministri shprehu kërkesën e tij për rritje pagash këtë vit në sektorin publik dhe veçanërisht për punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Po vlersojmë se sa do jetë dhe rritja e pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu si edhe për sektorët e tjerë, Forcat e Armatosura, Shëndetësia, apo Administrata. Kërkesa ime është që në këtë rritje historike pagash për sektorin publik, që do të realizohet më 1 korrik, Policisë së Shtetit të jetë më e vlerësuara për shkak të nevojës për të dinamizuar edhe më shumë punën e Policisë së Shtetit”, tha Balla.