
Vetëm pak ditë na ndajnë nga starti i një prej garave më të mëdha të çiklizmit në botë, “Giro d’Italia”, e cila këtë vit do të nisë pikërisht në Shqipëri, që është destinacioni i 108-të i kësaj gare prestigjioze.
Në prezantimin zyrtar të ekipeve pjesëmarrëse, të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”, morën pjesë 194 çiklistë të ndarë në 22 skuadra. Gjatë paradites, përgatitjet u ndoqën nga afër edhe nga kryeministri Edi Rama.
Gara do të zhvillohet në tri etapa brenda vendit tonë:
Etapa e parë më 9 Maj fillon në Durrës–Tiranë. Starti do të jepet në Portin e Durrësit dhe itinerari përfshin qytete si Kavajë, Rrogozhinë, Elbasan, e përfundon rreth orës 17:03 në Sheshin “Nënë Tereza”.
Etapa e dytë në 10 Maj vetëm në Tiranë. Nisja do të bëhet në orën 13:30 nga Sheshi “Skënderbej”, duke përshkuar rrugët kryesore të kryeqytetit, dhe përfundon sërish në Sheshin “Nënë Tereza” rreth orës 17:15.
Dhe etapa e tretë në 11 Maj, në Vlorë. Gara do të nisë në orën 13:15 nga Rruga “Demokracia” dhe do të kalojë në zona bregdetare si Himarë, Qeparo, Llogara, për të përfunduar në Rrugën “Sadik Zotaj” në Vlorë, rreth orës 17:26.
Ngjarja do të transmetohet nga 200 televizione ndërkombëtare, duke e kthyer Shqipërinë në qendër të vëmendjes globale.