Kush ia futi dhe a ia futën vërtet kryebashkiakut Dako?

Publikuar tek Analiza & Komente
Premte, 16 December 2016 21:35

Nga Gjergj Thanasi

Në syrin e ciklonit për lirimin nga burgu me vendim gjykate të Lulzim Berishës përfundoi kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako. Përjashtimisht PD-ja kësaj rradhe luajti bukur duke e bërë mizën buall dhe duke shfrytëzuar me eficencë një mefshtësi momentale të Dakos për t’u përballur publikisht me ortekun mediatik dhe jo vetëm.

Deputeti durrsak Oerd Bylykbashi dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha shfrytëzuan edhe një shkrim investigativ të Birn si edhe aftësinë e gazetares së shquar shqiptare Lindita Çela (fituese e çmimit për gazetari investigative Beograd 2016) për t’ia hapur gropën Dakos. Në këtë aferë u bashkuan edhe gjithfarë elementësh të PS-së, të pakënaqur nga kontrolli kapilar që ushtron Dako mbi PS-në durrsake dhe influencën e tij mbi PS-në në shkallë vendi. Dako kontriboi për ta mbufatur aferën me njëfarë mendjemadhësie dhe nënvlerësimi, deri në mos lexim mesazhesh të ardhur nga Birn në celularin e tij. Kryebashkiaku durrsak me këtë rast në kuadrin perfekt të një hakmarrje të dialektikës mori atë, që realisht e meritonte, për negociatat e tij me një personazh vendimmarrës të PD-së në fund maj 2015 për të pasur z. Bylykbashi si kandidat zyrtar anti-Dako.

PD-ja, kësaj rradhe, me ndihmën edhe të elekuencës së pashoqe dhe djallëzore të Blushit shkëlqeu duke damkosur Dakon si hyzmeqar vrasësish serialë dhe duke i rikthyer virgjërinë një dyzine gjykatësish shqiptarë me anë të qepjes me “cat gut.”  Si përfundim mund të themi se gropën e varrit kryebashkiakut të Durrësit ia hapën të gjithë ata, që e kishin zili dhe tmerroheshin nga suksesi politik dhe financiar i tij. Ia hapën njerëzit e PD-së, që në vend ta konkurojnë Dakon në Durrës me ide, projekte, ndershmëri, trimëri, respekt për elektoratin, besnikëri ndaj njerëzve të së djathtës, menduan jo pa bazë, që nëse e heqim qafe Dakon me pranga në duar, atëhere PS-ja në qarkun e Durrësit do të katandiset në nivelin e PD-së me degët e zyrave me dryn të markës “Enno”, me kryetar dezhurn, me kryetar të dorëhequr etj. etj. Plani i fitores ekstra-elektorale të PD-së në qarkun Durrës do kompletohej edhe me një arrestim të mundshëm të kryebashkiakut krutan, për shkak të së kaluarës së tij dhe të nyjes së transporteve intermodale të krimit të organizuar, që shtrihet midis Deltës së Ishmit dhe Krujës.

Po Dako a do mbijetojë?!

Mbijetesa e Dakos tashmë nuk rrezikohet as nga PD-ja, as nga mediat shqiptare dhe rajonale. Kjo mbijetesë politike dhe juridike rrezikohet vetëm nga drejtësia dhe Kryeministri Rama. Drejtësia shqiptare, që kundrejt rryshfetit ka martuar njerëz edhe pas vdekjes, që ka vrarë njerëz në bulevard me plumba rikoshetë, që kthen prona, kur ligji ia ndalon kategorikisht këtë gjë, që Gërdecin e deklaron aksident teknologjik, që adoleshentin e vrarë në Sharrë ka rrezik ta nxjerrë të vdekur nga infarkti apo hemoragjia celebrale, që në Shëngjergj hashashxhiun e vetëvrau me dy plumba në rrëzë të zverkut etj. nuk e ka problem ta mbyllë meselenë e shkresës së Dakos për punësimin në ndërmarrjet bashkiake të Lulzim Berishës. Për ca cic mice në këtë shkresë, jo u dha dënim plotësues me punë në komunitet, jo s’u dha. Jo shkresa u përpilua para se të merrej vendimi nga gjykata. Jo Dako nuk e kishte apo edhe e kishte tagrin për ta firmosur atë të flamosur shkresë e të tilla yckla juridike nuk kanë vlerë për prokurorinë dhe gjykatën shqiptare, që e bën mushkën me barrë dhe punonjësen e semaforit virgjëreshë 24 karatëshe.

Z.Dako me instiktin e biznesmenit është gati të investojë financiarisht për ta mbyllur juridikisht gafën e vet shkresore, sepse e di që një “investim” i tillë ia vlen barra qiranë. Jam plotësisht i sigurtë që kallëzimi penal anti-Dako i Lulzim Bashës do të marrë të njëjtën përgjigje juridike nga prokuroria si edhe nja 5-6 denoncime anti-Dako të z. Osman Stafa bërë 2-3 vitet e fundit. Akoma më problem do të jetë, nëse z.Dako vendos të riblejë të njëjtin personazh të fundmajit 2015, atëhere çfarë u mbetet një pjese të deputetëve dhe anëtarëve të këshillit bashkiak, që përjashtimisht janë burra e gra të nderuara, të cilët firmosën kallëzimin penal anti-Dako?!

Faktori Rama

Faktori Rama është determinant për fatin e z. Dako si politikan, por edhe si një qytetar i lirë i Republikës së Shqipërisë. Rama nuk e ka asnjë mëdyshje morale të flakë në kosh edhe bashkëpunëtorë, shokë, miq më të afërt të tij, përfshirë edhe njerëz të gjakut të vet, kështu që nuk e ka për gjë ta djegë z. Dako tak-fak. Në këtë kontekst tipik është rasti i “mëkëmbësit” të Ramës në Jug të Shqipërisë, ish-deputetit Koço Kokëdhima. Fatmirësisht Dako ndryshon me ish-deputetin, ashtu siç ndryshon hijena tahmaqare me dhelprën dinake. Ish-deputeti, njëlloj si hijena e pangopur, kërkonte t’i hynte në pjesë vetë “luanit” të qeverisë, prandaj normalisht “luani” ia rropi lëkurën politike pa një e pa dy.

“Dhelpra” Dako njëlloj si në fabulën e La Fontenit është më se i kënaqur e i ngopur me atë ç’ka lë pa kullufitur “luani” Rama. Pikërisht ky gjykim i shëndoshë ia shpëtoi lëkurën dhelprës së fabulës. Kryebashkiaku durrsak për më shumë është ende i dobishëm për Kryeministrin. Ai i duhet për 18 qershorin 2017, si grumbullues i palodhur dhe rezultativ votash. Dako në funksion anti LSI ofron efektin e një plumb argjendi kundër “njerëzve ujq” të Ilir Metës në Durrës edhe më gjerë.

Karakteri kavalier i Dakos po ashtu është një tipar, që Kryeministri prej vitesh e vlerëson shumë. Kontaktet e Dakos me shtresa të ndryshme të biznesit të bardhë e gri, por gjithsesi jo të zi, janë një vlerë e shtuar e tij në sytë e Ramës. Me siguri thuajse absolute mund të themi se Rama në vend të skartojë Dakon do hedhë në kosh letrën me firmën e kryetarit Basha për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Mund të vihet bast pa frikë fare, që pas Krishtlindjeve sipas kalendarit Julian z. Dako dhe gruaja e tij, si dhe kryeministri Rama do të jenë duke bërë shopping në Rrugën “Arbat” pasi të jetë kryer ndonjë binjakëzim i suksesshëm midis Durrësit dhe Shën Petërburgut apo edhe Sevastopulit. Z. Aleksej Belimov është shumë i kujdesshëm për të përfshirë në protokollin e vizitës së ardhshme në Rusi, njerëz me të vërtetë me peshë në jetën politike të Shqipërisë si fjala vjen z. Dako.

Po ambasadat?

Në një thuajse “republikë bananesh” siç është katandisur Shqipëria, efekti i ambasadorëve është shpeshherë përcaktues, por në rastin Dako ky efekt përcaktues duhet parë në prizmin e moralit të një barsalete të kohës së Dullës.

Barsaleta

Një grup turistësh anglezë vizitojnë Uzinën e Instrumentave në Korcë. Njëri prej turistëve, me ndihmën e përkthyesit, pyet një tornitor të uzinës:

-A ke frikë nga Bashkimi Sovjetik?

Përgjigja ishte e menjëhershme.

- Nuk kam aspak frikë, sepse ne stërvitemi në zbor për të luftuar e fituar kundër një koalicioni armiqsh, ku përfshihet NATO dhe Traktati i Varshavës, jo më dava Bashkimi Sovjetik.

Anglezi vazhdon me pyetjet.

-Po Perëndinë a e ke frikë?

Përgjigja ishte:

-Jo nuk e kam frikë Perëndinë, sepse ne prishëm kisha e xhamiat, shtëpitë e Perëndisë dhe prapë jemi populli më i lumtur i planetit!

Më në fund turisti anglez shpërtheu.

- D.m.th. ti nuk ke frikë nga asgjë në botë?

-Jo, jo unë kam frikë Gonin!

Anglezi i habitur e pyet:

- Çfarë gjëje kaq e tmerrshme qenka ky Goni, që ti e ke kaq frikë?!

Përgjigja e tornitorit ishte:

-Gonin e kam brigadier. Ai është aq i poshtër, sa për hiç gjë ta heq ditën e punës!

Morali Nr. 1 i barsaletës është:

Gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë janë të pandikuar nga argumentet e ambasadorëve, sepse për “brigadier” kanë Dodën ($), Erën (€), Frankun (CHF) etj. Këta gjykatës shqiptarë shpesh herë në mënyrë demonstrative i kanë lënë me gisht në gojë ambasadat e huaja. Kujtojmë këtu ish-gjyqtaren Manushaqe Zhulali, që e surprizoi ambasadoren Lino duke liruar në sallën e gjyqit terroristët islamikë, shtetas egjiptianë në vitin e largët 1998. Po ashtu ambasadori gjerman u surprizua nga Gjin Gjoni për atë trafikantin turk, që kishte trafikuar në Gjermani më shumë se një tonelatë heroinë, apo Gjykata Kushtetuese me meselenë e të ashtuquajturit ligj për Vetting-un, që i la me gisht në gojë ambasadorët Vllahutin & Lu.

Morali Nr. 2 i barsaletës:

As Sh.T. Ambasadori Lu, as ajo ish gazetarja e Radios kroate 101 nuk janë brigadierët e Vangjush Dakos, kështu që nuk ia heqin dot “ditën e punës”! “Brigadieri” i Vangjush Dakos është gati 2 herë më i gjatë se Ambasadori Lu. Po ashtu me sa duket ambasador Donaldi ende nuk e ka mësuar, që në Uashington një tjetër Donald është zgjedhur President i Amerikës dhe gjërat po ndryshojnë cep më cep të globit, duke e shndërruar sjelljen dhe të folurën politikisht korrekte në “veshje” demode. Nëse do ta kishte mësuar këtë gjë Donaldi i “Rilindja Ridge”, në funksion të luftës antiterror, jo vetëm do të vizitonte urgjentisht zyrën e Rilindasit Dakos, por edhe do i sugjeronte “shefit të tij të stacionit” (chief of station), që të pinte një kafe pune me z.Lulzim Berisha, tashmë qytetar i lirë i një vendi pjesërisht të lirë.

*DurrësLajm

Modifikuar më Hënë, 19 December 2016 09:50

Shtypi i Ditës Arkiva

« Janar 2017 »
Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          

Ora

Barometri i Ditës



Shtypi i Dites

Sondazh

Nga vjen pasuria e madhe e disa gazetarëve në Shqipëri?

Analiza & Komente

Artan Fuga: Nuk ka ngjarje, as lajm nga Mapoja

Nga Artan Fuga:  Unë nuk e kuptoj fort mirë se ku &eum...

Lakrorit iu hapën petët, yndyra po na mbyt të gjithëve…

Nga Anila Basha Nuk mund të mos pranoj se debati i hapur në...

"Kur të nderojnë edhe ata që nuk të duan"

Nga Astrit Patozi: Ka shumë njerëz në Shqipëri, q...

“Djalli fshihet në detaje”

*Nga AFRIM KRASNIQI  “Djalli fshihet në detajet&rdquo...

Dossier

Historia e diasporës shqiptare

Emigrimi ka qenë historikisht pjesë e zhvillimit njerëz...

Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton mbush sot 70 vjeç

William Jefferson Clinton ose siç njihet ndryshe Bill Clinton &...

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Nga Arben LLALLA Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku n&...

Parku i Lurës: Shpresa ka formën e fidanit të pishës

500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e di...

Lazarati e gjen të vështirë jetën pa drogën

Fatjona Mejdini - BIRN Rreth dy vite pasi policia zbarkoi në fsh...

Gratë nga Kosova në krye të kampeve të ISIS-it (Foto)

Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të E...

A shkoi Gjergj Kastriot Skënderbeu për pelegrinazh në Mekë?

Në një nga poemat e poetit Persian Ferdousi, Shahnameh &ldqu...

Themelimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar

Nga Karl Gurakuqi Shkëputur nga ditari i tij… Ditar The...

Kontaktet Tona

Address: Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Tel: + 355 69 98 44442

Mob 2: +355 69 98 44441

Email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Website: http://www.newsbomb.al