25 vjet nga themelimi i “Koha Jonë”, s’mund të jetë dëshmitar Izet Haxhia, flisni kolegë

Publikuar tek Dossier
Hënë, 09 May 2016 11:33
Redaksia e vjetër e ''Koha Jonë'' Redaksia e vjetër e ''Koha Jonë''

Nga Mimoza Dervishi (SHBA)

Në 11 Maj gazeta e parë, vërtetë e pavarur shqiptare, “Koha Jonë” bën 25 vjeç. Unë hyra aty në gusht të 1994.

Mikja ime e fakultetit Rudina Xhunga më thotë një ditë, që i duhej të takonte Nikollën e Kohës, sepse i kishte premtuar se do shkonte të punonte atje. Rudina kishte kohë që punonte për “Aleancën Demokratike”, ndërsa unë sapo kisha filluar në një gazetë të re të quajtur “Dita Informacion”. Shkrimin e parë tek “Dita…” dhe si rezultat të parin të botuar në shtypin shqiptar, ma lanë pa emër, më saktë me gjysëm emër, thjesht Mimoza D…, me më shumë se tre pika pas. Ishte shkrim provë dhe nuk e mendoja se do botohej. Stafi kish vendosur ta botonte, po ndërsa emrin ma mbanin mend, me mbiemrin kishin hasur vështirësi dhe kështu befas mu duk vetja si personazh i librave të Kadaresë në qytetin T.

 “Dita …” , bëhej në një apartament me një dhomë e guzhinë, dhe s’të linte shijen e një gazete, aq më pak shpresën për dikë që sapo mbaron fakultetin. Rudina më tha të shkoja të takoja Nikollën bashkë me të, sepse ajo nuk ishte gati të shkonte tek “Koha Jone”. Nikolla as që mi hodhi sytë i mëzitur që Rudina i kërkoi ca kohë më shumë për të vendosur. Në fund, pasi më pyeti çfarë studioja, gjuhë- letërsia sikur i ktheu mendjen dhe më tha, epo hajde nesër në gazetë. Shkova të nesërmen dhe u largova prej saj, ditën që u largova prej Shqipërisë, shumë vite më pas. Gazeta ishte vetëm me tetë faqe kur unë mbërrita aty, dhe kisha fatin dhe privilegjin siç do ta kuptoja me vonë, të kaloja gjithë etapat e një gazete që rritej më shpejt se koha, me 16 faqe, 32 më vonë, pastaj suplemente brenda saj dhe gjithë eksperimentet e botës, që edhe në një shkollë të mirëfilltë gazetarie nuk do ti mësoje dot kurrë. Ka shumë kujtime të mira dhe të këqija, siç janë kujtimet që Nikollë Lesi ka vendosur t’i botojë në librin e tij. Por kujtimet janë individuale dhe ma do mendja të gjithë ne, që punuam aty kemi këndvështrimin tonë, herë- herë të ngjashëm e shpesh të ndryshëm nga njëri – tjetri.

Thonë që shenjat e djegies janë ato që nuk ikin kurrë. Dhe bashkë me to, viti 1997, është ai që duhet rikujtuar, jo vetëm si një shenjë kolektive, por si një çështje studimi, për shkollen e gazetarisë dhe për ndërgjegjen  e një kombi.

Ishte koha kur nuk kishte celularë, mjete luksi, rrethe sociale, rroba të hijshme dhe grim të sofistikuar. Ai që quhet feedback, ose thjesht përshtypje mbi atë që shkruan dhe efektin që ka ajo që shkruan, merrej primitivsht, në rrugë, në bar, në tryezat familjare, tek dyqani i bukës, herë me të shara, herë me përqafime. Ishte koha kur ata që të donin dhe ata që s’të donin, ndaheshin bardhë e zi dhe çuditërisht silleshin njësoj….

3 Mars 1997

Ditën e nisja herët me një kafe me miqtë pranë godinës së Radio-Televizionit, i vetmi medium i atij lloji ato kohë. Shkallët e Radio-Tiranës janë epike për mua. Aty prisja shoqërinë, pak më tutje kafet e gjata në lokale që s’janë më, aty policët sipas krahinës kush të qëllonte në shërbim, ose ishin miqtë e tu më të mirë, ose të ndiqnin nga pas, me vrap deri tek piramida, sepse ishe armiku i “klasës”. Eshtë qesharake si skenë, absurde, anakronike, e çuditshme, sa ndonjëherë më duket sikur e kam parë nëpër ëndrra. Ashtu sikur pikërisht në këto shkallë, në orën 8 të mëngjesit të datës 3 mars 1997, një polic, as nga veriu, as nga jugu, por diku midis, edhe në sjellje (as demokrat, as socialist). por thjesht ishte aty të bënte gallatë, më jep madaten duke u zgërdhirë, teksa unë kërkoja një mike të lajmërohej të zbriste poshtë.  Ai ngërdheshëm gjithnjë më thotë: “ja u kishin djeg shpinë mromë! (kupto shtëpinë, kupto mbrëmë). E pataksur i kthej përgjigjen e parë që më erdhi ndërmend se unë nga shtëpia po vija.

“Jo jo, -më tha-  atë shpinë tek selvija, e nigjova në radio”.

E kishte fjalën për godinën e gazetës “Koha Jonë”. Në subkoshiencën e tij sado të mangët,  dhe ai e dinte që ajo ishte shtëpia jonë, e një tufe gazetarësh, mosha nga 20 deri në 32, në luftë me gjithë dynjanë. Mora biçikletën dhe u nisa drejt shtëpisë se djegur, me shpresë se ai që zgërdhihej e kishte dëgjuar gabim. Nuk kisha zemër të dilja nga rruga kryesore, dhe i rashë nga rrugicat mbrapa godinës trekatëshe të gazetës. Duke dihatur pikas godinën që qëndronte në këmbë, po njësoj, po veç nga mbrapa ama. Marr frymë e lehtësuar deri sa arrita përballë. Aty një tufë njërëzish bënin sehir. Grumbullimi i tyre ishte i pazakontë. Shumë-shumë, ne kishim parë veç eksponentë të lartë të Partisë Socialiste që prisnin në radhë për ndonjë intervistë, e që gazetën e konsideronin një vend më të rëndësishëm se selinë e partisë së tyre. Disa më vone u bënë ministra e kryeministra, por lutjet dhe radhën tek dera e “Kohës….” i harruan shpejt, njësoj sikur mos kishin ndodhur kurrë.Më e pazakontë se grumbulli i njerëzve para derës sime të punës, ishte ajo pamje tragjike e një godine gjysëm të djegur me vrima plumbash ngado. Si nëpër tym, mbaj mend kalimtarë që ndalonin, shihnin, shpreheshin. Të gjithë të zemëruar, disa e quanin një padrejtësi, një makabritet. Të tjerë, shfrynin se mirë na e kishin bërë ne komunistave. Që ta sjell në kohë këtë lloj reagimi, ishte si komentet anonime të të frustruarëve të sotëm. Ky grumbull i vogël njerërzish, ata të paktë kalimtarë që shprehnin marazin e tyre ideologjik ishin shëmbëlltyra më e mirë e Shqipërisë së 1997-ës, vit kur gjithë kombi, kishte nevojë për një psikolog.

mimozadervishi.jpg

Mimoza Dervishi

 

Por vërdallë ishin ata dhe ne, një grusht njërëzish të tromaksur dhe një fotograf që mundohej të fiksonte në aparat, tavolina dhe kompjutera të shkrumbuar, blloqe shënimesh dhe fletë gjysëm te djegura.

Isha gazetare  e kulturës deri në atë moment, e cila së fundmi po kthehej edhe ajo në politikë. E ndërsa ti mund të qash rrugëve një këngë të Bob Dylan nën zë, kupton që diçka e madhe kish ngjarë. Jeta siç e njeh, nuk egziston më. Profesioni siç e do, nuk është më ai i pari. Nëpër rrugicat bosh të lagjes përreth, buçisnin televizorët për një president që po rizgjidhej për herë të tretë, triumfalisht, diktatorialisht, fashizisht, mbi hirin e një gazete të djegur, mbi copëra fjalësh të vrarë me plumba.  Dhe ti nuk mendon më për kulturën. Gjithashtu pak mund të dish në ato momente se do shpenzosh 15 vitet e ardhshme të jetës, pikërisht për të luftuar këtë ciban të keq që u mbiu shqiptarëve në derë, që quhej Sali Berisha (kështu vazhdon të quhet akoma). Ndoshta ngaqë ika dhe nuk jetova dot normalitetin e pas djegjes nuk e  kuptova dot kurrë rehabilitimin e një vrastari të lirisë së shtypit. Kriminelët edhe mund të rehabilitohen, por shoqëritë e përparuara pasi i falin, nëse mund ti falin, i lënë të vdesin vetëm, nuk i dashurojnë prapë, nuk i votojnë e aq më tepër, nuk i ngrenë në fron përsëri. Psikologu i munguar kombëtar i 1997-ës do na e kishte kursyer këtë “nder”. Dhe plot “ndere” të tjera…

Vlora e 1997-ës dhe “Indipendenti”…

Nëse ka një qytet që simbolizon çmendurinë kolektive të vitit 1997, mungesën e shtetit, pragun e luftës civile, efektin e armëve nëpër duart e gjithkujt, kaosin që ishte tashmë normaliteti i ri, është padyshim Vlora.

“Indipendent” ishte një gazetë më vete, që lindi post Marsit, post djegjes, dhe që për mua është thjesht një supplement i gazetës “Koha Jonë”, një produkt i saj dhe i një kohe të çmendur. Për këtë arsye, kjo copëz gazetë me emrin anglez shkruar gabim qysh në titull, është padyshim pjesë e historikut të “Kohës…”, të paktën në memorien time.

Për ne, më të vegjlit e gazetës, në moshë dhe përgjegjësi, ishte një nismë idealiste, do kishim gazetën tonë ku të gjithë do ishim pronarë! Për ata më të mëdhenjtë, ishte thjesht një ide lekiste, për të përfituar ndihmat e të huajve, të cilat normalisht duhet të shkonin për gazetën e djegur. Këtë punën e donacioneve e  morëm vesh më pas, kur u ndjemë të tradhëtuar.

Këtë punën e të qenit pronar, më seriozisht nga të gjithë, e mori Babaramo, i cili turfullonte lart e poshtë nëpër redaksi duke fikur dritat e zyrave ku nuk punonte njeri në momentin që ai kalonte aty pari, duke na ruajtur dhe kursyer kështu “pronën”.

Kur “Independent” po gatuhej, unë dhe Henri Çili morëm kryredaktorin në ballkon, veç të tjerëve, sepse kishim nevojë ta shihnim në sy dhe të na jepte fjalën, që kjo nuk ishte thjesht një aventure çasti.  Ne të dy ishim tek grupi i më të rinjve, të dy vinim nga faqet e kulturës dhe fjala jonë s’kishte shumë peshë në grup. Por donim ti shpjegonim Blushit, që ne nuk kishim as familje, as shtëpi, as fis e farë në Tiranë, kjo ishte puna jonë që fati e kish dashur ta bënim në të njejtën kohë me shkollën dhe në këtë mënyrë mbanim jo vetëm veten, por dhe familjen. Ne nuk ishim më dy fëmijët e kulturës, që fundjavave merrnin Kërrabën,  por vepronim e mendonim prej vitesh si kryefamiljarë. Nuk ja thamë të gjitha sipas kësaj renditje, por veç e pyetëm nëse e kishte seriozisht gjithë këtë ndërmmarrje dhe nëse ai sapo të fitonte zgjedhjet Fatos Nano nuk do ti hynte politIkës. Na premtoi që e kishte shumë seriozisht dhe që politika nuk ishte në mendjen e tij. Në 29 qershor u bënë zgjedhjet, në korrik “Indipendent”, pushoi së jetuari, ju “rishit” Nikollës, vetëm titulli anglez i shkruar ashtu gabim, ne u kthyem kokëulur tek “Koha Jone” dhe Blushi menjëherë u bë zëdhënës i Fatos Nanos.

Në 1 maj 1997, në një nga mbledhjet e shumta të grupit plangprishës, kryeredaktori, kërkoi nga burrat e gazetës që dikush vullnetarisht të shkonte në Vlorë. Nuk kishim korrespondentë rrethesh, ishim një gazetë e padalë akoma dhe të paktën Vlora duhej mbuluar. Disa ishin pikërisht nga Vlora, po asnjëri nuk pranoi të shkonte, qoftë dhe për një vizitë në shtëpinë e tyre. Mu duk e tmerrshme. Burrat e gazetës ishin kryesisht shefa, të një gjeje apo tjetre, pak shkruanin, më shumë hiqeshin si editorë, vendosësh titujsh dhe pirës konjaku. Për shkak se kisha qenë dhe më parë në Vlorë, në ditët e tmerrshme të shkurtit 1997, për shkak se e dashuroja atë qytet, për shkak se ishte një muaj i bukur si Maji, ku deti duhet të ishte më blu se kurrë, për shkak se mendova që s’mund të ishte më keq se ç’kishte qenë në shkurt, thashë se do shkoj unë. Kryeredaktori e miratoi menjëherë. Ndërkohë Henri, kolegu im i faqeve te kulturës dhe bashkëudhëtari i fundjavave për në Elbasan, tha menjëherë do shkoj dhe unë. Mu duk më tepër një merakosje prej vellai të vogël dhe një dëshirë për të mos më lënë vetëm. Ashtu u bë. Gazeta nuk kishte fonde ende, ishte ende e padalë. Na dhanë vetëm 50 mijë lekë të vjetra. Nuk kishim limit se sa do qëndronim, askush nuk hynte dot në Vlorë dhe askush nuk e dinte nëse do arrinim të hynim apo jo. Lajmet që vinin prej Vlorës ishin kontradiktore dhe shpesh herë të çuditshme. I thashë Henrit që të dukemi si vendas dhe mos tërheqim shumë vëmendjen, mirë do bënim të merrnim bicikletat me vete.  Ashtu bëmë, me bicikletat tona shkuam tek stadiumi “Dinamo” me shpresë se ndonjë autobus do na çonte drejt Vlorës. Kur arritëm të gjenim dhe autobus, thamë se tani misioni është në rrugë e sipër. Diku në hyrje të Fierit, na thanë zbrisni dhe shoferi tha unë nuk hyj dot në Vlorë, kaq e kisha. Të dëshpëruar mësuam se ky ishte një lloj kordinimi mes shoferësh. Dikush tjetër me një autobus më lokal do vinte të na merrte. Ishte dhe bisnes, erdhi autobusi tjetër, më i vogël,  aspak komod, si një qerre,  paguam sërish dhe u nisëm drejt Vlorës. Arritëm aty nga ora 3 mbasdite, me bicikleta, që të dukeshim si vendalinjë, në një ditë të bukur maji, me një diell të ngrohtë dhe të shndritshem. Por në një Vlorë të boshatisur. Qyteti dukej si një fantazëm!  Vlora ishte shndërruar në pak muaj në një guackë të vetes. Gjithë bulevardi kryesor ishte bosh, po fare, fare bosh. Kuptuam që bicikletat ishin një gabim, jo vetëm që si vendalinj nuk dukeshim, por tërhiqnim vëmendjen më shumë se ç’duhej. Nuk po shihnim asnjë dyqan të hapur. Nuk po gjenim asnjë vend ku të uleshim për një kafe dhe të diskutonim idenë tonë të çartur në këtë qytet po kaq të çartur. Si mund të ishte kaq i bukur dhe kaq i frikshëm në të njejtën kohë. Diku, dikur në një cep pallati pamë një tip supermarketi të vogël të hapur dhe disa djem grumbulluar aty pranë tymosnin. Të parët frymorë! Hymë në supermarket nën vështrimet e tyre ngulitëse. Blemë disa ushqime dhe u nisëm drejt skelës. U ulëm buzë detit dhe të heshtur përhumbëm në bukurinë tij gati absurde. Nuk kishim asnjë plan, nuk dinim ku të shkonim në një qytet me dyer të mbyllura. Befas mu kujtua kampi i punëtorëve, jo shumë larg, mbi një kodrinë. Ishte marrë ashtu kacakce nga një fis që dikur e kishte pasur  pronë të tijën atë tokë. Kisha qenë më parë atje dhe e dija se nëse fisi ishte ende gjallë do na prisnin. “Koha Jonë”, ishte si një medalje nderi. Nuk do ti tregonim emrin anglez të gazetës së re. Fisi ishte aty shpërndarë,  çdo familje në një hotel. Burrat ruanin me armë rrotull. Na priten tek ajo që sipas tyre duhej të ishte godina qendrore. I pari i fisit, plaku i trungut, na bëri me shenjë të uleshim dhe të tregonim lajmet e fundit nga Tirana. Bëmë më të mirën, aq sa mund të bënim me një plak që herë pas herë fliste krejt përçart, me ulërima. Unë dhe Henri shihnim të çuditur njëri-tjetrin. Kishim përballë njeriun që një nga kolegët tanë të “Kohës…” e kishte përshkruar si një mit, madje e kishte propozuar për president të vendit. Nuk e di ç’kishte menduar Frroku kur kishte shkruar atë shkrim. Ndoshta vendit i duhej një i marrë, ndoshta për tu përballur me të marrin që kishim? Mendimi i vetëm  ngushëllues ishte se mos  ndoshta kishte qenë i dehur nga absurditeti i një kohe të çuditshme, ku patriotizmi përzihej paq me budallallëkun. Na pyetën se ku donim të flinim, mund të zgjidhnim cilën godinë a dhomë të donim, ishin disa godina, të gjitha me disa kate, të gjitha bosh, ashtu trishtueshëm mbi një kodër, me detin e kaltër për karshi, valët e të cilit natën ishin muzika më qetësuese e botës, në një botë të çmendur, në një kohë të dalë mendsh, ku një plak i ikur nga fiqiri ishte i denjë për të qenë president. Me Henrin u ndamë të nesërmen në mëngjes, ai u nis drejt Sarandës me qëllimin e mirë gazetaresk që të mbulonim jugun sa më shumë mundshëm. I dhashe emrat e nja dy të marrëve të ngjashëm, që mund ta ndihmonin në rast rreziku. Më  vonë  më tregoi që autobusi me të cilin u nis drejt Sarandës u plaçkit rrugës dhe individët e marrë që njihja unë, nuk mund ta ndihmoin dot nga marrëzia kolektive që kishte kapluar një komb.

Ditët që pasuan ishin një përzjerje mes surreales me realen,  idilikes me imagjinaren, çmendurisë me pakuptimësinë,  të frikshmes me tragjiken, të bukurës me ciniken. Pjesa më e bukur e ditës ishte rruga me biçikletë nga kampi i punëtorëve drejt sheshit të flamurit. Nisesha në mëngjes herët, ku dielli dhe era e kripur e detit në rrugët e boshatisura ishin miqtë e mi më të mirë. Miqtë e patjetërsueshëm, besnikë, njësoj si miqtë e vjetër që as i bën,  as i gjen dot më kurrë, në asnjë cep të botës,

Qyteti ashtu si gjithë Shqipëria ishte nën gjendjen e jashtëzakonshme, po nëse Tirana mbyllej brenda në 6  të mbrëmjes, Vlora kyçej në 12 të drekës. Edhe posta, i vetmi vend nga mund të çoja lajmet.

Lajmet ishin si pëshpërima! Ato tregoheshin nën zë, aty tek Sheshi i Flamurit, ku njerëzit grumbulloheshin deri në 12 të drekës. Pashkët me gjetën në Vlorë dhe lajmi i parë që mora vesh ishte se Robin Hood-i i qytetit, Zani, kishte shpërndarë vezë  falas. Nuk e di nëse i kishte ngjyrosur në të kuqe.

Ishin disa robin hood-er me shkallë rëndësie më të vogël se Zani nëpër qytet, njërin prej të cilive arrita ta takoj, në një bodrum të fshehtë, ku në atë intervistë i thënçin, më shumë fiksoja portretin e tij, këmishën disa komca zbërthyer, ecjen, delirin e heroit, që as e dinte për çfarë luftonte dhe çfarë kërkonte. Në kthim më qëlloi që në një rrugë pranë një shkolle tetëvjecare, ku sigurisht nuk bëhej më mësim, dy makina ndaluan, njerëz me automatikë dolën prej tyre, qëlluan në drejtim të sho-shoqit dhe pastaj u larguan. Nuk e mora vesh kurrë arsyen, ashtu bërë njësh me murin e shkollës, tmerruar për vdekje. Kisha filluar të kuptoja më mirë boshatisjen e qytetit. Çdo ditë kishte një ngjarje të re, jo domosdoshmërisht me vezë falas. Në çdo moment mund të dëgjoje një shpërthim të ri. Morgu i spitalit pothuaj s’kishte më vende.

 Njëri prej shpërthimeve ndodhi pranë teatrit të qytetit, kështu të paktën u dha lajmi për herë të parë. Shkova dhe pashë që shpërthimi kishte ndodhur në pallatin ngjitur me teatrin, në katin e tretë. Nuk dihej përse, larje hesapesh më thanë. Po nuk ma treguan hesapin. Një zot e di, ndoshta për një gotë sheqer. Duke zbritur shkallët e apartamentit ku ishte hapur tashmë një gropë, sytë më mbetën tek ora e teatrit në një shtyllë, kishte mbetur tek 10:50, fiks në kohën kur kishte ndodhur shpërthimi, si një element i paçmuar gazetaresk, një deshmitar okular, pa gojë, tani dhe pa krahë.

Lajmet i shkruaja me dorë në fleta blloqesh të sjella me vete nga Tirana. I shkruaja me një frymë tek parmakët e postës, duke u munduar të kapja kohën, para se posta të mbyllej. I nisja me faks tek shtëpia e Fevziut, i vetmi që kishte faks në shtëpi ato kohë. Misioni për të pasur lajme nga Vlora po kryhej, po nuk do vazhdonte gjate. Rruga për në kamp u bë e pamundur për tu kaluar, dy ditët e fundit i kalova tek daja e gruas së kryeredaktorit. Ishin njërëz të dashur, vlerësonin shumë mbesën e tyre të bukur, por dhëndrri, kryeredaktori im nuk ja mbushte syrin për aq trim. Ndoshta dhe ata nuk ishin dakord që kishte çuar një vajzë në mes të qametit. Ditën e dytë të bujtjes tek daja, vendosa të iki në Tiranë, gjeta një autobus dhe u nisa. Tirana ishte gjithashtu nën kushte terrori po asgjë nuk krahasoj me Vlorën. Isha krejtësisht e asfiksuar, kisha nevojë për ajër. Kisha lënë pas ajrin më të shëndetshëm të botës, atë me erën e mirë të detit, dhe erdha të mbushesha me frymë në ajrin e ndotur të Tiranës ku njerëzit refuzonin të mbylleshin brenda edhe pse në kushte shtetërrethimi….

I ftoj ish kolegët të shkruajnë dhe tregojnë 1997-ën e tyre, jo vetëm në respekt të “Koha Jonë”, të cilës gjithë jetën do ti kemi borxh rritjen dhe plagët, por në shërbim të publikut, në rikujtim të asaj sesi nuk duhet të katandiset një vend. Është e dhimbshme të na e shkruajë historinë e asaj kohe, Izeti, i cili mund të jetë një i penduar dëshmitar okular i krimit, por për ne është ai që na rrihte e kërcënonte rrugëve.

izethaxhia.jpg

Izet Haxhia

Kanë kaluar 25 vjet nga dita kur doli “Koha Jonë” dhe pothuaj 20 vjet nga dita kur u dogj ajo dhe gjithë vendi. Ja kemi borxh 20 vjeçarëve të sotëm, tu tregojmë, se plaku i veshur mirë, që nga kulla e tij e fildishtë, leh në facebook për ti armatosur, është pikërisht zjarrëvënësi, i gjithëçkaje. Arsyet duhet ti kërkojnë dhe gjejnë po në facebook, ku pjellat e tij  pozojnë luksin, kamjen, malibute, festivalet e zhveshjeve, arrogancën pa fre, si bijtë e paprekshëm të një babai qe dogji, vrau, vodhi, që punoi dhe luftoi shumë për këtë ditë.

Modifikuar më Hënë, 09 May 2016 13:07

Shtypi i Ditës Arkiva

« Janar 2017 »
Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          

Ora

Barometri i Ditës



Shtypi i Dites

Sondazh

Nga vjen pasuria e madhe e disa gazetarëve në Shqipëri?

Analiza & Komente

Artan Fuga: Nuk ka ngjarje, as lajm nga Mapoja

Nga Artan Fuga:  Unë nuk e kuptoj fort mirë se ku &eum...

Lakrorit iu hapën petët, yndyra po na mbyt të gjithëve…

Nga Anila Basha Nuk mund të mos pranoj se debati i hapur në...

"Kur të nderojnë edhe ata që nuk të duan"

Nga Astrit Patozi: Ka shumë njerëz në Shqipëri, q...

“Djalli fshihet në detaje”

*Nga AFRIM KRASNIQI  “Djalli fshihet në detajet&rdquo...

E duam rininë si gjithë europa...

Nga JULIAN HOXHAJ Pak e transformuar por aspak jashtë thelbit. I...

‘PISA’ DHE PISAT E SHQIPËRISË

Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI për newsbomb.al Pas njohjes me r...

Dossier

Historia e diasporës shqiptare

Emigrimi ka qenë historikisht pjesë e zhvillimit njerëz...

Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton mbush sot 70 vjeç

William Jefferson Clinton ose siç njihet ndryshe Bill Clinton &...

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Nga Arben LLALLA Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku n&...

Parku i Lurës: Shpresa ka formën e fidanit të pishës

500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e di...

Lazarati e gjen të vështirë jetën pa drogën

Fatjona Mejdini - BIRN Rreth dy vite pasi policia zbarkoi në fsh...

Gratë nga Kosova në krye të kampeve të ISIS-it (Foto)

Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të E...

A shkoi Gjergj Kastriot Skënderbeu për pelegrinazh në Mekë?

Në një nga poemat e poetit Persian Ferdousi, Shahnameh &ldqu...

Themelimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar

Nga Karl Gurakuqi Shkëputur nga ditari i tij… Ditar The...

Kontaktet Tona

Address: Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Tel: + 355 69 98 44442

Mob 2: +355 69 98 44441

Email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Website: http://www.newsbomb.al