
Tensione mes policisë dhe studentëve janë regjistruar ditën e sotme në Serbi. Studentët kanë ndaluar dekanin dhe pedagogët të futeshin në godinë, teksa në këtë moment ka ndërhyrë policia.
Policia largoi studentët dhe qytetarët e mbledhur para Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në Novi Sad të Serbisë, ku u lënduan disa persona, mes tyre edhe gazetarë, raporton Anadolu.
Aksioni i policisë pasoi pasi dekani i Fakultetit, Patrik Drid denoncoi se ai ishte penguar të hynte në vendin e tij të punës në mëngjes dhe kërkoi ndihmën e policisë për të hyrë në ndërtesë.
Menjëherë kanë ndodhur përplasjet e para mes policisë, studentëve dhe qytetarëve dhe pas mbërritjes së forcave shtesë të policisë dhe xhandarmërisë, ka nisur një ndërhyrje, gjatë së cilës janë përdorur mburoja, shkopinj dhe gaz lotsjellës.
Shërbimet e urgjencës ofruan ndihmë për një numër personash që pësuan lëndime në krahë, këmbë dhe kokë si dhe atyre që u ankuan për efektet e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës.
Dekani Drid ishte i pranishëm gjatë përplasjes dhe u fut në ndërtesë pasi forcat e policisë depërtuan përmes bllokadës. Jo shumë kohë më pas ai u nxor përsëri nga ndërtesa ndërsa turma i derdhi ujë dhe e gjuajti me vezë.
Fakulteti i Sportit dhe Edukimit Fizik ka disa muaj që është mbyllur, ashtu si edhe fakultetet e tjera në Universitetin e Novi Sadit. Administrata e fakultetit njoftoi së fundmi se "bllokada ka përfunduar" dhe se shumica e studentëve kanë vendosur të vazhdojnë mësimet online.