
Kryeministri Edi Rama duke folur nga Fieri u shpreh se në BE, askush nuk mund të prekë shpatën e drejtësisë dhe se nuk diskutohet barazia para ligjit. Ai shtoi se me anëtarësimin ne Bashkimin Europian, dorëzon edhe një pjesë të sovranitetit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se vota e 11 majit vlen për pasaportën europiane, dhe pasi Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, do të jetë e barabartë me të tjerët, ndërsa vuri në dukje mundësinë e marrjes së 1 miliard euro çdo vit si pjesë e Unionit Europian.
Edi Rama: Barazia para ligjit mund të garantohet nga ne, por ja ku keni palën tjetër që thotë sa të vijmë ne, do shkrijmë SPAK-un, do i marrim shpatën. Ndërkohë, që BE nuk të le ta prekësh atë shpatë. Sepse me anëtarësimin në BE, dorëzon një pjesë të sovranitetit. Njësoj sikurse ndodh kur martohesh. Kush është i martuar këtu, e di. Unë jam martuar më shumë se njëherë, e di më mirë se ju.
Do marrim 1 miliard euro çdo vit si anëtar të BE-së. Vota e 11 majit është votë për pasaportën europiane. Ne do jemi të barabartë me të tjerët kur të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Me pasaportën e BE, gjithçka është më e lehtë.