Më 19 nëntor 1937 ndërroi jetë bamirësi i shquar, Thoma Turtulli. Ai, edhe pse nuk ka statujë apo monument që ta përkujtojnë, atë e lanë edhe pa varr. Por vepra e tij e humanitetit është ende ndër thesaret e Korçës, është e ngulitur thellë në shpirtin e qytetit, në themelet e asaj përjetësie që mbeti i vetmi dhe më i epërmi shpërblim për të.
Shpesh herë kryeqëllimin e udhëtimit tranzit në jetë, jam rrekur ta lidh me përpjekjen që ngadhënjen për të qenë gjurmë në përjetësi. Jo të gjithë kanë patur fatin të mbeten kujtesë dhe mirënjohje, rrjedhimisht, arsye e themeltë e dimensionit të përjetësisë që ata i kanë ofruar vetes.
Më shumë se luftërat absurde, idetë e çmendura, lajthitjet e personalitetit, krekosjet e egos, lajkatimet e sedrës së sëmurë, kultit të individit, ekstremizmi i narcizmit, etj., ajo që shpërblehen me jetën e amshuar dhe gëzojnë statusin e të jetuarit në përjetësi, janë ata që nuk ishin heronj që të shkruanin kujtesën e tyre në akte trimërie e guximi, por në shpirtmadhësi e zemërbardhësi.
Dhe për hir të së vërtetës, ata që qenë të shpërblyer aq bujarisht me mirësi dhe humanizëm, sa të zgjidhnin të mbetnin të përjetshëm, janë fare pak, dhe fatlum ishte dhe është Korça, që pati drejtuar kah ajo duart e një shpirt të begatisë qiellore, i cili i dhuroi qytetit atë çfarë do t’i jetë mirënjohës në jetë të jetëve.
Ai që ka mbetur në historinë e këtij detyrimin gjeneratash për falënderim dhe përulje, është Thoma Turtulli, i cili i dhuroi kësaj kryeqendre të juglindjes së Shqipërisë, spitalin, bibliotekën, kinemanë, shkollën e mesme (liceun) dhe jetimoren.
A nuk është madhështore?!
A do të mjaftonte mirënjohja e këtij qyteti për këtë zemërbardhësi?!
Cili pati atë shpirt, i cili zgjodhi që pulsi e tij të rrahë përgjithmonë në të gjallët e një qyteti?!
E megjithatë kjo familje sot nuk ka varr. Korrektësisht, komunistët i shkatërruan në mënyrë barbare varrin monumental të kësaj familjeje të shquar, dhe eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ku përfunduan.
Thoma Turtulli, dikur e njihnin të gjithë, jo vetëm si tregtar por edhe si dorëdhënë. Sot, janë fare pak njerëz në Korçë e jashtë saj që dinë diçka për të, edhe pse ndonjë përkujtimore akademike është rrekur ta ridimensionojë këtë figurë, ta kthejë në lavdinë e vet këtë emër dhe këtë vepër.
Gjithqysh, pavarësisht se sa u bë dhe çfarë u tha për të, ai ishte dhe mbeti një nga filantropët më të mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar.