Nga Flamur Vezaj
Ashtu siç kam denoncuar që në ditën e parë, veprimet e SPAK-ut ndaj gazetarit Elton Qyno kanë qenë jashtë çdo standardi ndërkombëtar, të paligjshme dhe në kundërshtim me çdo rregull ligjor dhe kushtetues.
Koha dhe Gjykata Kushtetuese më dhanë të drejtë, pasi sot shpalli të paligjshme të gjitha veprimet e prokurorit Altin Dumani, Behar Dibrës dhe ushtarëve tyre në SPAK, si dhe të gjyqtares Atalanta Zeqiraj ndaj gazetarit Qyno.
Gjykata vendosi me 8 vota pro dhe asnjë kundër në favor të gazetarit Qyno, duke shpallur të paligjshme: mbajtjen e tij peng në ambientet e SPAK për 10 orë, kontrollin personal ndaj tij, kontrollin e banesës së tij, kontrollet e vendit të punës dhe të automjetit të tij, sekuestrimin e të gjitha mjeteve të punës, përfshirë telefonin, kompjuterat, USB-të, CD-të dhe deri te lodrat e fëmijëve të tij.
Pra, sipas Gjykatës Kushtetuese, SPAK ka kaluar në paligjshmëri të plotë duke terrorizuar Elton Qynon dhe familjen e tij në emër të kërkimit të burimit të informacionit. Ky vendim është një grusht i fortë ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe “ushtarëve” të tij, prokurorë e “ekspertë” të medias që e këshillojnë.
Vendimi është një mesazh i qartë: SPAK dhe “ekspertët” e tij nuk kanë asnjë tagër të vendosin se çfarë është lajm dhe çfarë është në interes të publikut.
Gazetari i vërtetë, ai me dinjitet dhe përgjegjësi profesionale, nuk ka nevojë të kërkojë leje në prokurori për të raportuar të vërtetën. Ky vendim është një shuplakë për të gjitha shoqatat e gazetarisë që vrapojnë pas fondeve, por nuk dolën në mbrojtje të gazetarit Qyno, duke e trajtuar rastin e tij si një problem personal dhe jo si një kërcënim serioz ndaj gjithë medias.
Gjithashtu, ky vendim është një shkundje për disa kolegë të mi të kronikës, që fatkeqësisht fërkuan duart për atë që i ndodhi Qynos dhe nuk e panë të arsyeshme të dilnin në mbështetje të tij, por përkundrazi vijuan me servilizmin ndaj Dumanit dhe institucionit të SPAK dhe “ekspertëve” të saj. Si ndiheni tani?
Por një gjë duhet ta kuptoni: lufta e Qynos nuk ishte vetëm për veten e tij, por edhe për ju. Sepse nesër do të vinte radha juaj. Prandaj, gëzohuni dhe festoni që ende ka gjyqtarë që dinë të lexojnë dhe të interpretojnë Kushtetutën, rolin e gazetarit dhe të drejtën themelore për një media të lirë.
Kjo është një fitore për të gjithë ju, por mos harroni t’i kërkoni ndjesë Qynos për indiferencën tuaj! Një ndjesë të madhe duhet ta japë edhe Altin Dumani me “ushtarët” e tij, që kanë shkelur Kushtetutën me veprimet e tyre të paligjshme. Në një shtet normal, ai dhe të tjerët duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë akt të rëndë të shkeljes së ligjit themeltar të shtetit dhe jo të fshihen pas xhamave të SPAK duke pritur të kalojnë tre ditë që të harrohet gjithçka.
Sepse janë pikërisht ata që shfrytëzuan materialet e gazetarit Qyno për t’i përdorur kundër tij, deri në atë pikë sa të ngrejnë një akuzë skandaloze, që tashmë është rrëzuar plotësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese!
Av Dorian Matlija Faleminderit