Letër Gertës

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:10 01-10-2017 Letër Gertës

Nga Klodiana Beshku

E dashur Gerta.

Po të shkruaj këtu me shpresën se këtu, në murin e një libërfytyre, do të me lexosh në ndonjë farë mënyre.

Sot është dita e tretë e fjalimit tënd në Parlamentin e Shqipërisë. Siç ndodh gjithmonë në raste të ngjashme kur diçka ka "bërë bujë", në ditën e parë ndodh shpërndarja e diçka-së nëpërmjet videos. Në diten e dytë do të ndodhë rishpërndarja e saj prej më entuziastëve e dashamirësve e ndërsa në ditën e tretë... eh në ditën e tretë, duhet të bësh durim e të mbahesh fort, e dashur.

Në ditën e tretë, njerëzit më skeptike, më fatalistë e më keqdashës do të shpërfaqin tërë artin e tyre të baltosjes. Do të merren me ty personalisht, me prejardhjen tënde, me jetën tënde private e do të rremojne kudo për ty: google, arkiva, foto familjare, dëftesa shkolle, teserë partie e gjithçka qe ti ke, nuk ke e as që e di se ke.

Megjithëse ti nuk iu ankove njeriut për veten do të dëgjosh "po kush ta ka fajin që shkove në fshat", megjithëse u mundove të japësh një mesazh apolitik do të thonë "përderisa arriti të flasë në kuvend, kushedi kë ka nga pas", megjithëse ti abstragove nga vetja nëpërmjet Kristinës, do mundohen të vërtetojnë se Kristina ekziston, meqenëse ti qave e përlote të tjerë, do të të mveshin aftësi për aktrim e skenarë të shkruar.

Mos u merzit. Dita e tretë e fjalimit tënd qëlloi dhe e dielë për dreq! Njerëzit janë më të ngeshëm për t'u marrë me thashetheme të dielën. Ne jemi një shoqëri ku kultura e thashethemit mbizotëron që nga koha e diktaturës moniste. Proverbi "shpif shpif se diçka do mbetet", ne atë periudhë ka njohur madhështine e tij, por edhe sot nuk mbetet pas. Sidomos, rreth katër vite më parë ishte  në kulmin e tij. Kështu vazhdon edhe sot prej disave, si për inerci: Marrja me personin e jo me argumentet që ai shpalos.

Ki parasysh se më të egrit e grupit të ditës së tretë janë militantet që sot qëndrojnë në opozitë. Ata do të mundohen që ta përdorin me çdo kusht politikisht fjalimin tënd e për këtë edhe do të të fyejnë e ofendojnë. Mos u mërzit. Jo të gjithë opozitarët janë kështu.

Ti që në atë fjalim ishe kujdesur me aq hijeshi të mos fyeje askënd e as të lavdëroje ndokënd, ti vetë do e paguash të gjithë impaktin e fortë të atij  fjalimi. Shumë pak do të merren me kauzën që ti doje të përcillje: Zhvillimin e fshatit e të periferisë.

Nëse në ditën e katërt do të ketë qoftë një ose dy eksperte te politikave të zhvillimit qe do te analizojne këto aspekte qe ti thirre ne kauze, atëherë mund të thuhet se ke fituar gjithsesi.

Të tjerat do të harrohen të hënën e një jave të vrullshme.

Atëherë, gëzohu e dashur.

Article Logic
Execution time: 0.0024359226226807
array(1) { ["section"]=> string(18) "leter-gertes-94377" }