Fëmijët autikë pa mësues ndihmës, Ministria e Arsimit: Jemi në pritje të vlerësimit të komisioneve

Publikuar tek: aktualitet, më 17:10 12-10-2017 Fëmijët autikë pa mësues ndihmës, Ministria e Arsimit: Jemi në pritje të vlerësimit të komisioneve

Që në vitin 2012 Ministria e Arsimit miratoi ligjin për "Gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor parauniversitar" në të cilin thuhet se fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë një mësues ndihmës në klasë.

Kanë kaluar 5 vite nga miratimi i ligjit dhe akoma ky problem nuk është zgjidhur.

Emisioni investigativ Fiks- Fare solli sonte raste të këtyre fëmijëve të cilët e kanë të pamundur të qëndrojnë në klasë pa një mësues mbështetës. Mamaja e Fatmirit, djalit 10 vjeçar nga Preza tregoi për Fiksin se e ka të pamundur ta shoqërojë djalin në shkollë. Djali i saj është hiperaktiv dhe nuk lejon fëmijët e tjerë të mësojnë. " Ju drejtohem ju që të më ndihmoni, jam në vështirësi, djali do një mësues ndihmës është hiperaktiv dhe mësuesja kujdestare e ka të vështirë të punojë me pjesën tjetër të klasës. Unë e kam të pamundur të qëndroj me të, pasi kam edhe fëmijë të tjerë në shtëpi" thotë Jetmira Zyberaj.

Gazetarët e Fiksit shkuan në klasën ku mëson fëmija, mësuesja shprehet e shqetësuar për gjendjen që ai krijon në klasë.  "Shikojeni vetë, unë e kam të pamundur të bëj mësim në këtë gjendje, do ishte lehtësim shumë i madh të vinte një mësuese ndihmëse"  shprehet mësuesja e 10 vjeçarit.

Edhe drejtoresha e shkollës i mbështet mësuesit që hasin vështirësi në mësimdhënie dhe pohon se në këtë shkollë   janë 3- fëmijë të tillë . " Përveç Fatmirit në shkollën tonë janë edhe 2 fëmijë të tjerë, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për mësues ndihmës, por akoma s’kemi marrë zgjidhje" shprehet drejtoresha e shkollës "Shaban Sheshori" ,Prezë.

Institucioni  përgjegjës, Ministria e Arsimit thotë se jemi në procesin e vlerësimit të rasteve nga komisionet multidisiplinare pranë Drejtorive Arsimore. "Jemi në proces vlerësimi për këtë vit. Vitin e shkuar kemi pasur 3500 nxënës me nevoja të veçanta që kishin nevojë për mësues ndihmës. U kemi ofruar mësues vetëm  disave prej tyre. Për këtë vit presim të punësojmë edhe të tjerë" thotë Rozalba Meidani, Përgjegjëse Sektori në Arsimin Parauniversitar , pranë MASH-it.

Pyetjes së gazetares se pse nuk zbatojnë ligjin, zonja Meidani përgjigjet se nuk ka mësues të specializuar edhe pse mësues ndihmës mund të punojë çdo mësues, që merr pjesë në portal dhe është i licencuar.

-Në komisionet multidisiplinare pranë DAR, mungojnë mjekët pediatër.

MASH-i për të evidentuar  rastet kur fëmijët kanë nevojë për mësues ndihmës ka krijuar  komisione multidisiplinar pranë drejtorive arsimore. Ky komision ka në përbërjen e tij psikologun e shkollës, një punonjës social, psikolog klinik, mjek pediatër dhe mësuesin e fëmijës.

Për të ndjekur nga afër punën e komisionit multidisiplinar, gazetarët e Fiksit shkuan në Shkollën  9-vjeçare "Dëshmorët e Lirisë", ku komisioni i ngritur pranë DAR Tiranë po kryente vlerësimin e rasteve në këtë shkollë. Sipas kryetares së komisionit atë ditë janë vlerësuar 4 raste të cilët kishin nevojë për mësues ndihmës. "Pasi ne bëjmë vlerësimin pranë shkollave, hartojmë një relacion që e dërgojmë në Ministrinë e Arsimit nga e cila kërkojmë mësues ndihmës.   Ky komision ka një plan për të gjitha shkollat dhe për vlerësimin e të gjithë rasteve" thotë kryetarja Lediana Sabella.  Por në këtë komision u vu re mungesa e mjekut pediatër. E pyetur në lidhje me këtë drejtoresha Sabella pohon se atë ditë mjeku kishte impenjime të tjera. " Mjeku pediatër nuk është për shkak të disa impenjimeve të tjera, por ne e bëmë vlerësimin e rasteve në bazë të kartelave që fëmijët kanë nga mjekët" thotë ajo.

Rasti i fëmijës që po kalonte në këtë komision ishte rasti i një fëmije me autizëm, të cilin e shoqëronte gjyshja çdo ditë në shkollë. 75 vjeçarja me lot në sy kërkon një mësues ndihmës për nipin. " Jam 75 vjeç, vitin e shkuar e kam shoqëruar vetë nipin në klasë, por tani vuaj edhe nga sytë nuk e ndihmoj dot më, ndaj kërkoj një mësues ndihmës" thotë ajo.

Grupi i xhirimit të Fiks Fare iu drejtua edhe në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, për të mësuar se a funksionon aty komision multidisiplinar dhe për mësuesit ndihmës që ofron drejtoria e qarkut.  Drejtoresha e këtij institucioni, Eglantina Metani pohoi se ka vetëm një mësues ndihmës për gjithë Qarkun Tiranë. Komisioni multidisiplinar në këtë drejtori kishte filluar punë në vlerësimin e rasteve , por ende nuk kishin një shifër përfundimtare të fëmijëve që duan mësues ndihmës. Drejtoresha Metani pohoi se në komisionin multidisiplinar pranë drejtorisë së saj nuk kishte fare mjek pediatër dhe për këtë i janë drejtuar me një kërkesë ISHP-së. 

Article Logic
Execution time: 0.0026490688323975
array(1) { ["section"]=> string(102) "femijet-autike-pa-mesues-ndihmes-ministria-e-arsimit-jemi-ne-pritje-te-vleresimit-te-komisioneve-95674" }