
Mbrëmjen e 17 Janarit në ambientet magjike të Pallatit të Brigadave, Newsbomb mblodhi miqtë, bashkëpunëtorët dhe partnerët e saj më të ngushtë për të festuar 10-vjetorin e saj.
Çdo gjë ishte kuruar deri në detajin më të vogël, duke filluar nga ambienti i zbukuruar me aq elegancë dhe deri te dritat e ngrohta, vera e mirë e muzika e zgjedhur.
VIP-at, të cilët zakonisht i shohim në kostume zyrtare, këtë herë zgjodhën të hiqnin petkat e formalitetit dhe të bëheshin pjesë e një atmosfere të ngrohtë e miqësore. Ata u mirëpritën me një ceremoni të thjeshtë, por plot klas, ku çdo detaj e element dukej sikur fliste për filozofinë e Newsbomb: “vërtetësinë, profesionalizmin dhe trasparencën”.
Mes buzëqeshjeve, përqafimeve e gotave të shampanjës që trokiteshin, bashkëpunëtorët më besnikë të Neësbomb festuan për këtë dekadë të mbushur plot sfida e sukses.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në këtë event, ku përpos batutave të tij që zor se i le anash, uroi Anila Bashën për këtë sukses dhe e vlerësoi për rezistencën e saj për të qenë pjesë e rëndësishme e medieve.
Pjesë e kësaj feste ishte dhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, e cila ashtu me thjeshtësinë që e karakterizon ia mori edhe valles, duke treguar dashurinë dhe respektin për traditën shqiptare.
Lori Hoxha po ashtu ishte pjesë e kësaj feste të paharrueshme. Në mesin e miqve të Newsbomb ishin edhe Gjergj Luca, Samir Mane, Enkel Demi, Grida Duma, Arian Leskaj, Elisa Spiropali, Klodiana Lala, e shumë e shumë njerëz të shquar e gazetarë, të cilët dukeshin si pjesë e pandashme e kësaj familjeje të madhe e kjo dëshmohet bukur dhe qartë dhe te pamjet që do të gjeni mëposhtmë nga ky event madhështor për vetë Newsbomb, por edhe për të pranishmit!