Zgjedhjet dhe rregullat e reja, çfarë do ndodhë këtë vit me turizmin në Shqipëri

Publikuar tek Ekonomi
Saturday, 18 Mars 2017 11:35

Ky pritet të jetë një vit i ngarkuar për turizmin shqiptar. Nga njëra anë janë zgjedhjet parlamentare, më tej ndikimi nga situata politike nga destinacionet klasike si faktor i jashtëm dhe, në anën tjetër, “testimi” për zbatimin e rregullave të reja, që tashmë kanë nisur. Por, cili do të jetë efekti i pritshëm nga disiplinimi? Drejtoresha e zhvillimit të politikave të turizmit, Sonia Popa jep detaje, si dhe shpjegon “dritëhijet” e këtij procesi.

Nga Elona Bedalli për Monitor

Standardet e reja që synohen të vendosen në turizëm janë pothuajse të përafërta me ato ndërkombëtare. Certifikimi i guidave të para ka nisur dhe do të vijojë edhe me “disiplinimin” e sektorëve të tjerë. Bëhet fjalë për një proces, i cili do të drejtojë “Destinacionin Shqipëri” drejt cilësisë dhe do të përmirësojë ofertën turistike.
Për biznesin, ky është një hap para, por është i nevojshëm rishikimi i kuadrit ligjor për ta sjellë turizmin në “binarët” e duhur.
Të dhënat tregojnë se aktualisht operojnë rreth 850 struktura akomoduese që do të përfshihen në këtë proces vlerësimi. Për këtë do të angazhohen një numër i mjaftueshëm personash në terren, të cilët do të verifikojnë përmbushjen e standardeve. Gjithashtu do të licencohen rreth 690 agjenci turistike dhe tur-operatorë.
Por, çfarë do të ndodhë tani teksa ka përfunduar përmirësimi i kuadrit ligjor? A do të mund të flasim për zbatimin e tyre të plotë?
Sonia Popa, drejtore e Zhvillimit të Turizmit në Ministri në e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes thotë se hyrja në fuqi e ligjit u shoqërua edhe me miratimin e akteve nënligjore (pas periudhës tranzitore), çka e bën të plotë bazën ligjore. Tashmë është bërë certifikimi i guidave të para.
“Ishte një proces i gjatë, por është rezultat i zbatimit të këtij ligji dhe akteve. Ky është një proces që do të vazhdojë.
Guidat e para të certifikuara ishin ato që punonin prej vitesh në terren, por nuk ishin të formalizuara. Kjo ka qenë një veprimtari e parregulluar me ligj, ndërsa tashmë ato janë të përcaktuara dhe të qarta. Udhërrëfyesi turistik është një sektor që ka rëndësi për industrinë, duke qenë se ndikon drejtpërdrejt në imazhin e vendit, me përmirësim apo përkeqësim. Ne i quajmë ata “ambasadorë”, duke qenë se janë kontakti i parë me vizitorët e huaj. Certifikimi i tyre kalon përmes një procesi të gjatë, ku bën pjesë edhe kualifikimi përmes kurrikulave të përcaktuara, me të cilat duhet të plotësohen njohuritë e personave që do të duan të bëjnë këtë profesion. Kemi tre lloj udhërrëfyesish: kombëtar, lokal dhe i destinacioneve të veçanta, që janë të shprehura në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe asaj të Mirëqenies dhe Rinisë. Në të janë të detajuara kurrikulat që duhet të ndjekin njerëzit që duan të bëjnë këtë profesion”, thotë znj. Popa.
Deri më sot nuk ka pasur një studim të mirëfilltë nga ana e ministrisë, por Shoqata e Guidave (NATGA) ka bërë një studim tregu, sipas së cilës mësohet se nevoja është për më shumë se 500 udhërrëfyes. Kjo shifër mund të ndryshojë, duke qenë se edhe ritmet e rritjes së turizmit janë të tilla.
Pas 156 udhërrëfyesve të parë të certifikuar, parashikohet që do të ketë edhe një thirrje të dytë nga ana e ministrisë, pasi mendohet se ka ende guida që nuk i janë nënshtruar këtij procesi për arsye nga më të ndryshmet, si për shembull mungesa e informacionit.
“Ne parashikojmë që deri në fund të marsit të kemi edhe një thirrje të dytë. Kjo do të testojë guidat për njohuritë e fituara, por edhe që të formalizohen. Ende nuk kemi një shifër të saktë se sa do të jetë grupi i dytë, por kërkesat për aplikime kanë filluar.
I gjithë ky grup do të jetë ai që do të mbajë peshën për këtë vit turistik, por edhe për atë që do të pasojë, pasi certifikimi që ne kemi bërë tani është paraprak. Ai do të shërbejë për të njohur situatën, për ta analizuar, si dhe për të krijuar bazën e të gjitha guidave që janë në terren.
Afati i këtij certifikimi përfundon më 30 shtator 2018 dhe deri atëherë, të gjitha këto guida, por edhe të rinjtë që do të duan të bëhen pjesë, duhet t’u nënshtrohen trajnimeve sipas kurrikulave të përcaktuara. Gjatë kësaj periudhe ministria do të ngrejë një komision, i cili do të bëjë akreditimin e programeve për ata që do të duan të ofrojnë trajnime në këtë drejtim. Mund të ketë të interesuar, por synimi ynë është që ato të jenë në përputhje me programin e përcaktuar dhe standardet, që janë të ngjashme me ato ndërkombëtare dhe të përshtatura për tregun tonë”, sqaron për “Monitor” znj.Popa.
Por, këtë vit, parashikohet fluks në rritje i numrit të turistëve, veçanërisht nga kroçerat. Në datën 20 korrik, Saranda do të presë 5,000 turistë, të cilët do të vijnë me dy anije të mëdha.
A do të jemi ne në gjendje të përballojmë këtë, qoftë edhe përmes guidave?
Për drejtoreshën e Zhvillimit të Turizmit pranë Ministrisë së Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është i konfirmuar fakti se do të ketë një numër më të lartë të turistëve të huaj, kryesisht në Sarandë përmes kroçerave dhe kjo do të kërkojë marrjen e masave nga të gjithë aktorët, qendrorë dhe vendorë.
“Vetëm përmes një koordinimi të mirë të guidave, agjencive, tur-operatorëve dhe pushtetit lokal mund të arrihet që të përballohet fluksi. Është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët të kuptojnë se ne në treg duhet të nxjerrim vetëm guida të certifikuara. Natyrisht që do të ketë vështirësi, por ne besojmë se ky sezon, por edhe ai i ardhshmi do të përballohen me sukses. Duhet të theksohet se ky nuk është vetëm një profesion iu cili siguron të ardhura, por ka të bëjë me prezantimin e kulturës së vendit përballë të huajve dhe kulturave të tyre”, thotë drejtoresha e Zhvillimit të Turizmit.

Hotelet, licencim sa i shpejtë pasi nis inspektimi

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të akteve të ligjit të ri “Për turizmin”, lindi edhe detyrimi për marrjen e licencave nga ana e agjencive turistike dhe tur-operatorëve për ushtrimin e veprimtarisë. Edhe pse nuk ka një afat në lidhje me kohën e licencimit, drejtoresha e Zhvillimit të Turizmit thotë se duhet bërë sa më shpejt pasi do të nisë nga puna Inspektorati.
“Për tur-operatorët dhe agjencitë turistike nuk ka një afat për licencimin e tyre për ushtrimin e veprimtarisë, gjë e cila është duke u zbatuar. Kjo është një licencë e përhershme dhe nuk është e nevojshme që të rinovohet, sikundër është parashikuar në rastin e guidave (një herë në dy vjet) apo në atë të klasifikimit të hoteleve (një herë në katër vjet). Çdo subjekt i ri që do të hapet në këtë fushë, do të duhet të pajisjet pranë QKB-së me një licencë. Megjithatë, licencimi duhet të bëhet sa më shpejt, pasi Inspektorati do të jetë struktura që do të bëjë kontrolle të vazhdueshme dhe do të shikojë nëse veprimtaria bëhet kundrejt rregullave të përcaktuara. Në rastet kur do të evidentohet se mungon licenca, aktiviteti do të mbyllet.


Aktualisht Inspektorati i Turizmit është ngritur dhe është në fazën e plotësimit të strukturës. Do të jetë pjesë përbërëse e Inspektoratit të Tregut, që është njësia qendrore.
“Ne jemi duke punuar edhe për strukturat akomoduese, për të cilat po testohet një sistem online, ku do të aplikohet për klasifikimin. Do të ketë një grup njerëzish profesionistë, të cilët do të trajnohen në terren për të bërë verifikimin në terren të këtyre njësive akomoduese, si dhe për të raportuar te Drejtoria e Standardizimit. Pas kësaj dhe marrjes së dokumentacionit të nevojshëm do të vendoset se cili do të jetë niveli i klasifikimit. Problemi nuk qëndron vetëm te vendosja e yjeve, por te fakti sesa subjekti do të jetë në gjendje për ta mbajtur këtë standard. Inspektorati do të jetë ai që do të kontrollojë gjatë harkut kohor të katër viteve (afati i klasifikimit) mbi cilësinë dhe ruajtjen e standardeve, kjo për vetë faktin se aktiviteti hotelerik mund të ndodhë që të zhvlerësohet. Kërkohen investime të vazhdueshme që të ruhet cilësia e shërbimeve, por edhe gjendja fizike e njësisë akomoduese. Një detyrë tjetër e Inspektoratit do të jetë edhe trajtimi i ankimeve që do të bëhen nga ana e turistëve apo vizitorëve”, tha znj.Popa.

Biznesi: I nevojshëm rishikimi i kuadrit ligjor

Informaliteti i lartë është ai që po e mban ende “peng” industrinë e turizmit. Përfaqësuesit e këtij sektori shpresojnë se me nisjen e zbatimit të standardeve të përcaktuara nga kuadri i ri ligjor të mund të zhvillohet ky sektor jetik për ekonominë.
Për Shoqatën Shqiptare të Tur-operatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), certifikimi i guidave është një hap i bërë përpara për të disiplinuar tregun, por mbetet ende i nevojshëm rishikimi i kuadrit ligjor për të sjellë në standarde turizmin shqiptar.
Më herët, kjo shoqatë i ka kërkuar ministrisë përmes një letre që të ndërhyjë në kuadër për të eliminuar burokracitë në ushtrimin e aktivitetit. Për drejtuesit e ATOA-s, ligji që është në fuqi ndoshta mund japë një efekt fillestar, por duhet të rishikohet me qëllim që të jemi më konkurrues me rajonin.
Ata nënvizojnë disa argumente, si dhe bëjnë disa propozime.
“Nuk ka një ndarje të saktë në kriteret për licencim mes një tur-operatori dhe një agjencie udhëtimi. Ndarja që ofron ligji përqendrohet më shumë në përshkrimin e punës që ofron secili subjekt dhe aspak në kushtet e diferencuara që duhet të plotësojnë për licencim. Sipas ligjit, ndarja e vetme është diferenca në sipërfaqen e ambientit të punës, element ky shumë më pak i rëndësishëm në shërbimin që ofrohet. Për këtë arsye propozohet që:
Të gjendet mundësia e përfshirjes në rregullore të sigurimit të detyrueshëm ndaj vlerës prej 50,000 euro për tur-operatorët ‘incoming’.
Numri minimal i punonjësve të një tur-operatori të jetë katër.
Të hiqet detyrimi ligjor që administratori i një kompanie të jetë i detyruar të pajiset me një diplomë universitare të nivelit të parë në turizëm. E konsiderojmë të panevojshëm këtë fakt, aq më tepër për kompani, të cilat kanë vite që operojnë në treg dhe kanë kontribuar në ngritjen dhe ofrimin e standardeve në këtë sektor.
Tur-operatorët apo edhe agjencitë turistike që operojnë në treg prej minimalisht pesë vitesh, pa ndërprerje me të njëjtin administrator, të mund të pajisen me licencën përkatëse pa pasur nevojë për dokumente apo testime shtesë, por duke konsideruar këtë përvojë pune si ekuivalent i diplomës së kërkuar për administratorin, që njihet edhe si drejtues teknik në të njëjtën kohë.
Në rastet kur tur-operatori ose agjencia turistike ka më pak se pesë vite në treg, administratori/drejtuesi teknik që nuk ka diplomën përkatëse, t’i nënshtrohet një provimi për të marrë një certifikatë të tillë. Për ata administrator/drejtues teknik që do të donin të ndiqnin edhe një kurs përpara dhënies së këtij provimi, do të ishte mirë të ofrohej një kurs i tillë intensive disa ditor”, thuhet në argumentimin e shoqatës.
Aspekti më i vështirë për t’u zbatuar në terren konsiderohet fakti se do të duhet kohë për të ngritur të gjitha strukturat e duhura.

Koha e “disiplinimit”

Rregullat e reja vendosin standarde që përmirësojnë ofrimin e shërbimit në këta tre sektorë, në disa aspekte:
Së pari,  ofrohet një shërbim më cilësor për turistët, si për shembull për udhërrëfyesit kërkohet formim profesional në fushën përkatëse që operojnë, zotërimi i mirë i gjuhës së huaj. Ndërsa për strukturat akomoduese, sistemi i klasifikimit nëpërmjet kritereve të detyrueshme dhe atyre me zgjedhje synon nxitjen e strukturave akomoduese për përmirësimin e shërbimit të ofruar.
Së dyti,  formalizohet tregu, pasi do të kemi të dhëna të sakta mbi sipërmarrësit që operojnë në treg. Kështu për udhërrëfyesit, edhe për ata që veprojnë në mënyrë të pavarur nga ndonjë operator turistik, kërkohet regjistrimi i tyre tregtar dhe nënshkrimi i një kontrate me grupin turistik që do të shoqërojë.
Së treti,  nëpërmjet rregullave të reja ka mbrojtje më të mirë të konsumatorit. Ndër të tjera, rregulloret parashikojnë kushtet kontraktuale që duhet t’i bëhen të njohura konsumatorit, operatorët turistikë detyrohen të sigurohen për përgjegjësinë ndaj palëve të treta. Lidhur me sektorin e hotelerisë, nëpërmjet sistemit të klasifikimit të bazuar në atë të përdorur në vende të tjera europiane, bujtësit e kanë më të lehtë të identifikojnë cilësinë e shërbimit që kërkojnë të marrin dhe të mbeten të kënaqur për çmimin që paguajnë. Konkretisht, një hotel me 5 yje do të ofrojë shërbime që i përgjigjen këtij standardi, i cili do të jetë i njëjtë me shërbimin e ofruar nga një hotel me 5 yje në vendet e Bashkimit Europian.
Së fundmi,  krijohet një klimë e konkurrencës së ndershme midis sipërmarrësve turistikë, një konkurrencë cilësore, mbi standarde transparente dhe të njohura nga të gjithë operatorët e tregut.
Për sa u përket kostove për biznesin, ato janë parashikuar të jenë minimale. Kriteret e detyrueshme që duhet të plotësojnë sipërmarrësit janë përcaktuar, duke marrë në konsideratë edhe kostot që do të kishte për biznesin. Janë vendosur kritere që janë konsideruar të domosdoshme për ruajtjen e cilësisë së shërbimit, sigurinë e turistëve dhe krijimin e disa standardeve minimale në turizëm. Kështu, kur janë përcaktuar kriteret e detyrueshme dhe ato me zgjedhje për klasifikimin e hoteleve, një nga faktorët e marrë parasysh janë kostot potenciale për përmbushjen e tyre. Për njësitë akomoduese që kërkojnë një nivel klasifikimi që tregon se ofrohet një shërbim më luksoz, natyrisht kostot e përmbushjes së këtyre kritereve janë më të larta.
Tarifat administrative për shqyrtimin e aplikimeve janë minimale. Për strukturat akomoduese ka një tarifë aplikimi simbolike prej 100 lekësh dhe tarifë të verifikimit në terren, e cila është përcaktuar sipas kategorisë së strukturës akomoduese, përfshi kapacitetin e saj. Për financimin e procesit për herë të parë, krahas mbulimit të kostos nga tarifat që do të paguhen nga subjektet, kemi kërkuar edhe asistencën e donatorëve të huaj për të na mbështetur në këtë proces të rëndësishëm për turizmin shqiptar.

Si do zgjidhen verifikuesit

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka hapur tashmë thirrjen për përzgjedhjen e personave që do të bëjnë verifikimin në terren të strukturave akomoduese duke e krahasuar atë me vetëdeklarimin e bërë nga sipërmarrësi turistik.
Kriteret e përzgjedhjes që duhet të plotësojnë verifikuesit janë të ndara në dy aspekte ku së pari është eksperienca e tyre në të kaluarën e lidhur gjithmonë me turizmin dhe së dyti arsimimi i nevojshëm.
Të interesuarit që do të trajnohen për të verifikuar strukturat akomoduese duhet të dorëzojnë dokumentat e tyre deri më datën 6 mars.
Në të njëjtën thirrje jepen edhe detajet për mënyrën sesi do të bëhet kategorizimi i hoteleve.
Hapi i parë i këtij procesi është plotësimi në Regjistrin elektronik të Strukturave Akomoduese i formularit të vetë-deklarimit për klasifikimin e strukturës së tyre akomoduese dhe pajisjen e tyre me certifikatë klasifikimi.
Hapi i dytë i procesit të klasifikimit është verifikimi në terren i të dhënave të vetë-deklaruara nga sipërmarrësi turistik.
Hapi i tretë i procesit të klasifikimit është shqyrtimi i dokumentacionit dhe vendosja e nivelit të klasifikimit nga Komisioni i Standardizimit.

Ora

ukt 300x250

Barometri i Ditës



Shtypi i Dites

Sondazh

Debati për Arsmin e Lartë, kush ka të drejtë:

Analiza & Komente

Nën çadër dhe jashtë saj

Nga Elton Derjaj Në një kohë kur agjenda e vendit &eum...

Na duhen profesionistë zotërinj, jo vetëm nizamë për në front

Nga Shpëtim Nazarko Kisha dhënë diku një intervis...

Diana nuk është vetëm

Nga Luljeta Progni ...

Pse talentet e sportit përfundojnë në grevë urie?!

Nga Orest ÇIPA   Papritur, njësoj sikur “shkr...

Vetingun apo zgjedhjet?

Nga Artan Fuga ...

"Veliera shkel të ardhmen, lashtësinë dhe ligjet"

Nga Gjergj Bojaxhi (Anëtar i Forumit të Trashëgimis&eum...

Përballë Sali Berishës!

Nga Arbana Xharra- Kryeredaktore e gazetës “Zëri&rdquo...

Luli u zgjua…Le të fillojë opozitarizmi

Nga Anila Basha - Drejtore e Newsbomb.al ...

Shpërthen politologu Afrim Krasniqi: Krim shtetëror në Durrës, reagoni sa s’është vonë

Nga Afrim Krasniqi E ka ditur Kryetari i Bashkisë, e ka ditur K...

Në zemër të Myzeqesë (Foto)

Nga Besim Dybeli Reportazh përshkrues nga qyteti i Fierit N&eum...

Dossier

Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton mbush sot 70 vjeç

William Jefferson Clinton ose siç njihet ndryshe Bill Clinton &...

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Nga Arben LLALLA Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku n&...

Parku i Lurës: Shpresa ka formën e fidanit të pishës

500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e di...

Lazarati e gjen të vështirë jetën pa drogën

Fatjona Mejdini - BIRN Rreth dy vite pasi policia zbarkoi në fsh...

Gratë nga Kosova në krye të kampeve të ISIS-it (Foto)

Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të E...

Kontaktet Tona

Address: Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Tel: + 355 69 92 22201

Mob 2: +355 69 92 22202

Email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Website: http://www.newsbomb.al