Edlira Gjoni: “Kujdes nga qeveria e re” - duhet të argumentonte PD

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:08 29-08-2017 Edlira Gjoni: “Kujdes nga qeveria e re” - duhet të argumentonte PD

*Nga Edlira GJONI:

Ka lëvizje, shkrirje, probleme transparence, zhvendosje kompetencash e kaos buxhetesh. Megjithatë, PD nuk i vuri re. Ose nuk ka kohë të punojë. Mos nuk di? Është e paqartë. E ditur është vetëm që PD bëri deklaratat e saj të zakonshme e të thata pas shpalljes së kabinetit Rama 2: “Qeveria e drogës dhe korrupsionit” apo “ e Noriegës”. Deklarata retorike me sinjale të vakëta që palët thonë në distancë. Por duke përfaqësuar me raste edhe gjysmën e popullsisë, Partia Demokratike pritej të punonte pak më shumë se kaq për të sqaruar shqiptarët mbi qeverinë e re, sipas analizave të saj që si zakonisht, nuk i bëri. Po çfarë pritej nga PD dje dhe sot:

Çfarë analiash duhet të kryente e djathta? Cfarë pritej nga Partia Demokratike dje dhe sot:

Që të bëjë punën që i takon si opozitë, PD duhet të kishte dalë në media të zbërthente riformatimin e qeverisë, problematikat që mund të mbartë, vonesat, mungesën e transparencës në rishpërndarje dhe dëmet që mund t’i shkaktojë qytetarit shqiptar përforcimi i disa elementeve të dyshimtë në qeverinë e re.

Përderisa të qenit në opozitë është po aq përgjegjësi e madhe sa edhe të qenit në qeveri, PD duhet të tregonte se merr vesh nga detyra që ka për të bërë rojën e qeverisë dhe të interesit publik, e madje, të tregonte se ka aftësi ta ndjekë kryeministrin, ta kuptojë, ta zbërthejë e edhe të bëhet gati ta parakalojë, kur t’i vijë koha.

Por, gjumi i PD-së duket se është edhe më i rëndë sesa para zgjedhjeve. Dy janë shpjegimet: ose konfirmon thjesht paaftësinë totale që ka zënë ndryshk në partinë e përtacëve, ose vërteton se marrëveshja e 18 Majit paska qenë thjesht dakordësim që palët të lenë rehat njëra-tjetrën. Secila parti të bëjë lëmsh sheshin që gjen kur vjen në pushtet, pa u trazuar nga tjetra.

Ndryshe nuk shpjegohet dot përse PD reagoi vetëm me statuset e vakëta e retorike ndaj qeverisë së re, duke përmendur refrenin e përhershëm që nuk kap më asnjë sinjal në veshët e askujt: “qeveria e drogës dhe e korrupsionit”. Por është e vështirë të kuptosh në e ka për qeverinë e sapoformuar, apo për veten e vet, teksa qeveri pas qeverie, PD ka shkëlqyer në të dyja këto fusha.

Ç’mund të bënte Partia Demokratike pas shpalljes së qeverisë së re? Brenda saj pretendon se ka ekonomistë, juristë, financierë, akademikë e shkencëtarë të zotë në shumë fusha. Atëherë gjithsecili sipas ekspertizës përkatëse të ulet e të përmbledhë në dy faqe se cilat janë paradokset apo rreziqet e shpërndarjeve të reja, nëse të tilla ka. Jo emrat e qeverisë. Ndaj tyre le të ngrejë padi nëse kanë akuza. Por nga ana institucionale, të bëjë analizën e thjeshtë të secilës lëvizje të re, e të sqarojë me to shqiptarët.

Për shembull, shkrirja e Ministrisë së Integrimit dhe transferimi i saj tek Ministria e Jashtme, tregon se ose puna e bërë deri tani ka qenë e dobët dhe e panevojshmë, ose se në katër vitet e ardhshme, nuk na pret ndonjë volum i madh pune me integrimin. Pra nuk u parashikoka ndonjë lëvizje domethënëse në marrëdhëniet me BE deri në vitin 2021.

Po ashtu, nëse Ministrisë së Jashtme i bëhet herë dush i ftohtë e herë shumë i nxehtë brenda javës për mungesë rezultatesh, si pritet që të përballojë po kjo Ministri edhe ngarkesën e një dikasteri të ri. Çdo të thotë kjo për ritmin, rëndësinë dhe afatet kohore të çdo hapi drejt BE-së?

Ose, në rastin absurd të shkrirjes së Ministrisë së Mirëqenies Sociale (dikur edhe e Punës) nga një qeveri e majtë, si janë parashikuar transferimet e funksioneve, kompetencave dhe buxheteve të dhjetëra hallkave të koklavitura të kësaj ministrie nëpër të tjera çati? Për shembull, duke qenë se Kujdesi Social ka kaluar nën Ministrinë e Shëndetësisë, cila është logjika që skema e pensioneve, ndihmës ekonomike dhe legjislacionit social të kalojë nën Shëndetësinë? Dhe paradoksi i dytë, me mjekësinë shqiptare në kulmin e problematikës së vet me tenderët, reputacionin e mjekut dhe koncesionet, cila është “skema sekrete” që garanton se mbi këto probleme, po kjo Ministri mund të merret edhe me kompetencat që deri dje mbulonte Ministria e Mirëqenies?

Dhe kjo Ministri, për hir të së vërtetës, pikërisht nën qeverinë Rama 1 (të mandatit 2013-2017), mori dhe hovin më të madh të zhvillimit dhe përforcimit të identitetit të vet, duke u bërë jo pak herë Ministria më aktive dhe më e dukshme, e me jo pak rezultate në punën e saj me skemën e pensioneve, me legjislacionin social, me barazinë gjinore, me punën me fëmijët e madje, edhe me Arsimin Profesional. Tani të gjitha këto do të shpërndahen nëpër institucione të tjera. E deri sa pritësit të kuptojnë natyrën e punës, sa të transferohen kompetencat, funksionet e buxhetet, do ketë ardhur edhe fundit i qeverisë Rama 2. Ngadalësinë normale të këtij procesi e njohin vetë reformatorët, sepse u ndje për shembull tek vitet që u deshën për të bërë kalimin e plotë të Arsimit Profesional nga Ministria e Arsimit, tek ajo e Mirëqenies.

Po bashkimi i ekonomisë dhe financës nën të njëjtën ministri? Pra i njëjti njeri kontrollon edhe parashikimet, edhe shpenzimet? Do hedhë firmën për veprimet e veta dy herë?

Ekonomistët e PD-së duhet të kishin vrapuar në media me paradoksin e ekonomi-financës e t’u tregonin shqiptarëve se çfarë rreziku paraqet një vendosje e tillë dhe si rrezikon ekonomia jonë të shndërrohet në gropë të zezë teksa pazaret dhe auditin mbi to, do t’i bëjë i njëjti individ. Kryeministri thotë se ai ka suksese me shumicë. Ama ngelet e vështirë të gjesh nëpër arkiva qëndrime solide të ministrit mbi ekonominë, prodhimin vendas, konsumin, shpërndarjen e të mirave dhe shërbimeve apo vizion të politikave të tij të majta për mënyrën se si funksionon ekonomia shqiptare dhe si ndërveprojnë aktorët brenda saj.

Prandaj specialistët e ekonomisë në PD duhet të kishin dalë me kohë në publik e të sqarojnë se si ministri ka pasur sukses siç pretendon Rama apo ka dështuar në politikat e tij për të përmirësuar marrëdhëniet mes konsumatorëve dhe prodhuesve, në përmirësimin e kushteve e të legjislacionit ekonomik në vend, veçanërisht për taksat, shpenzimet publike, investimet vendase e të huaja, kushtet e biznesit, analizën makroekonomike dhe ndikim e saj tek kompanitë, stoqet, tregjet, inflacionin, e me radhë.

E meqë eksperienca edhe në financë i është vlerësuar së brendshmi, atëherë fare thjesht PD mund të na ndihmonte të kuptonim nëse financat e Shqipërisë kanë qenë mirë e do bëhen akoma më mirë me këtë zgjedhje politike, duke ofruar një panoramë të thjeshtë mbi punën 4-vjecare bërë sipas matjeve të opozitës në mbikëqyrjen e çmimeve, normave të interesit, qarkullimin e parasë, ndikimet nga tregjet financiare, vlerën e lekut, koston a kapitalit, strukturat financiare, parandalimet dhe informacionet që ka përftuar biznesi (nëse) dhe investitorët, ndihma që iu është dashur për të vlerësuar situatat e biznesit, alokimin e kapitalit, e gjithë komponentët e tjerë.

Pra analiza e PD-së për këtë sektor do na lejonte të mos merreshim me njeriun, por me punën e bërë, apo të pabërë, dhe me riskun që mbart bashkimi i dy sektorëve në sistemin tonë të brishtë. Se nuk është e thjeshtë t’i besosh të njëjtit individ edhe vendimmarrjet ekonomike për investimet e kapitalin, e njëkohësisht, edhe detyrën financiare për të gjetur mënyrën se si funksion apo si duhet të përshtatet ky proces.

Ka mjaftueshëm edhe materiale të tjera mbi të cilin duhet të ishte fokusuar opozita, që të bënte punë, e jo retorikën e zakonshme e pa asnjë vlerë me të cilën është mësuar të marrë frymë. (Ndaj nuk është çudi pse është në opozitë, e me gjasa, do jetë gjatë aty).

PD mund të analizojë rëndësinë institucionale të pozicionit të kreut të parlamentit dhe të sqarojë në një faqe nëse propozimi i Partisë Socialiste përputhet apo bie ndesh me parimet e këtij pozicioni.

Si përfaqësuese e së djathtës që është, PD po ashtu e ka më të lehtë (në parim) se kushdo që të mbajë një qëndrim mbi fokusin e pasqaruar të së majtës ndaj sipërmarrjes, deri në atë masë sa të hapë një ministri për të. Cila është politika kryesore që po ndiqet? A është kjo lëvizje që thjesht nxit vetë-punësimin? Se sipërmarrja është vite drite larg konceptit të vetëpunësimit. E në bëhet vërtet fjalë për sipërmarrje, çfarë paradoksesh fsheh ky vendim politik, në një vend pa investime e treg të zhvillimit të ideve, ku ekosistemi për sipërmarrjen është akoma një bebe shtatanike edhe në teori.

Me asnjë përpjekje minimale të PD-së për të bërë punën e saj as në opozitë, duken bathët se çfarë shansesh ka për të kapur trenin në lëvizje të PS-së. Kurse parakalimi i këtij treni, me vagonat që ka PD, nuk ka asnjë shenjë e mundësi në horizont. Për katër vjet jo, por as për tetë, nëse PD nuk shtendoset dhe të fillojë të bëjë punët që i takojnë.

Se kur nuk është në gjendje të nxjerrë në pah e të ndihmojë shqiptarët të kuptojnë ngërçet e qeverisë tani që është në opozitë, nuk ka asnjë shans që t’i vendosë në jetë për së mbari punët e shqiptarëve kur të vijë vetë në pushtet.

Sepse një opozitë e dobët është lajm shumë më i keq sesa një qeveri e lirë apo manipuluese. Dhe për momentin, kemi vetëm qeverinë!

Article Logic
Execution time: 0.0026090145111084
array(1) { ["section"]=> string(67) "edlira-gjoni-kujdes-nga-qeveria-e-re-duhet-te-argumentonte-pd-90520" }