…Dhe nesër si një komb hipokrit, mos harroni të uroni me fat Bajramin

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:08 31-08-2017 …Dhe nesër si një komb hipokrit, mos harroni të uroni me fat Bajramin

Ulen në parlament dhe në qeveri dhe përdhunuesit. Uleshin dje, ulen sot. Do vazhdojne të ulen. Do ulen dhe gratë e nderuara deputete ku më me rëndësi e kanë "look-un", këpucët e te gjitha formave dhe lartësive, që nuk u bëjnë derman shtrembërisë së tyre sa fizike, aq edhe morale. 

Nga Blerinda Idrizi

Jam plotesisht e bindur se nuk ka më vend as për revoltë, as për protesta kundër dhunës ndaj grave. Në 27-të vjet i kemi prostituar e trafikuar gratë dhe vajzat, të dashurat, të fejuarat, bashkëshortet, nuk ju kemi lënë kusur! I kemi vrarë duke ju hedhur duart në fyt, i kemi mbytur me litar, i kemi hedhur nga ballkoni, nga dritarja, i kemi sakatuar me thikë, i kemi prerë me sopatë, me hanxhar, me sqepar, i kemi ekzekutuar me pistoletë, me çifte, me pushkë, me kallashnikov...Mund të kishin perdorur dhe antitank, nuk e kanë përdorur jo nga mungesa, po se mund t'ju prishej shtëpia.

T'i quash kafshë, është fyerje për kafshët! Nuk ka më kundër kujt të revoltohesh, se dhuna është e institucionalizuar, ata që rrahin e dhunojnë bashkëshortet, ulen ne qeveri e parlament, ulen ne parlament dhe trafikuesit e pronarët e prostitutave! Në të majtë, e në të djathtë, pa dallim! Ulen në parlament dhe në qeveri dhe përdhunuesit. Uleshin dje, ulen sot. Do vazhdojne të ulen. Do ulen dhe gratë e nderuara deputete ku më me rëndësi e kanë "look-un", këpucët e te gjitha formave dhe lartësive, që nuk u bëjnë derman shtrembërisë së tyre sa fizike, aq edhe morale.

Do vazhdojnë të mbreterojnë dhe Shefkinjte. Pse jo? Edhe ata kane nevoja per te permbushur. Shteti nuk mund të mbrojë asnjë viktimë të dhunës, grua, burrë apo fëmijë. Flirton dhe prostituon çdo ditë me krimin, është palë me të. Nuk arrin të mbrojë dot as gjykatësen, as prokuroren, as policen, as pastruesen, as punëtoren, as ekonomisten...nuk mbron dot as bashkëshorten, as motrën, as nënën e fëmijëve. Për këta që biologjikisht janë bërë baballarë: si ndihen kur i dhunojnë femijët psikologjikisht dhe rrahin nënat e tyre në praninë e tyre? Si ndihen baballarët me allti në brez kur masakrojnë nënat e fëmijëve të tyre dhe i lënë jetim? Si ndihen kur marrin foshnjën dhe e fluturojnë nga dritarja e maternitetit?

Dje një burrë në Kosovë u arrestua se kishte mbytur foshnjën e porsalindur se ishte mbushur mendja që nuk ishte e tija! Familja e justifikonte se i vëllai nuk qenkësh mirë nga mendja. Para pak muajsh ish-bashkëshorti i Zejnepes u dënua me 12 vjet, ndonëse e kishte vrarë Zejnepen me thikë, duke e qëlluar 16 herë, e te gjitha herët goditje fatale. Kishte qëlluar dhe te bijen nja katër herë me thikë, e cila mbeti në rrezik per jetën për disa ditë në spital. Zejnepja i kishte nja 6 urdhëra mbrojtës. Katër fëmijë mbetën jetimë, më i madhi 16 vjeç! Burri i Zejnepes u dënua 12 vjet se ishte me probleme mendore!

Në anën tjetër të kufirit, gruaja që burri dhe djali ja rruajten kokën me brisk dhe madje donin ta vrisnin, dhe që punonte e mbante familjen, ndërsa burri nuk punonte, pinte dhe e rrihte, u detyrua të largohej nga Shqiperia dhe fitoi azil në Gjermani se kishte frike nga bashkëshorti që ishte në burg! Këto ditë Ministria e Financave të Kosovës i mblodhi nga te gjithë organizatat buxhetore një përqindje të caktuar nga fondet e tremujorit të fundit te vitit. Dhe e dini pse? Se nuk ka para të paguajë veteranët! Ndërkohe gratë e përdhunuara gjate luftës ende nuk kanë parë asnjë kompensim. Jo vetëm kaq, duhet te vërtetojnë para një Komisioni Shtetëror që janë përdhunuar! Komisioni është ende duke u trajnuar si të trajtojë rastet. Për dallim nga Komisionet e tjera, Komisioni per Viktimat e Dhunes Seksuale nuk merr asnjë kompensim! Nuk është habi kur një ditë të bukur me diell apo me shi, po do jetë në mes të dites ama, që gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës të marrin lajmin se qeveria nuk ka para per trajtimin psikologjik, e as per kompensim! Natyrisht, nuk ka para dhe nuk do të ketë kur numri i veteranëve është në ato përmasa sa te mbushet mendja që Kosova nuk është 1.8 milione por dyfishi!

Nuk do te ketë fonde për gratë e dhunuara kur ne mesin e veteranëve ka dhe veteranë që në vitin 1999 ishin 12 ose 13 vjeç! Për këta nuk ka nevojë të krijohen komisione që të provojnë trimërinë. Se trimëria është e garantuar sapo individi ka organin gjenital të duhur! Grate e dhunuara nuk janë pjesë e agjendës se dialogut me Serbinë. Për gratë e dhunuara u ngrit një memorial para nja tre vjetesh, aty prapa Hotel Grandit. Deri para pak muajsh ishte i fshehur nën pemë. Tani po i shkulim pemet që të duket memoriali. Memoriali quhet Heroinat! Nuk ka asgje heroike dhe nuk përbën heroizëm të përballesh e te përjetosh përdhunimin. I vetmi heroizëm i këtyre grave është që përballen çdo ditë me ata qe u mohojnë të drejtën dhe vendosjen në vend të saj. Eshtë një përdhunim i dyte. Ani s'ka gje, se meqë e kaluan të parin, mund te kalojnë dhe këtë.

Dhe nesër, si një komb falik e hipokrit, në ekzaltim permanent, mos harroni të uroni me fat Bajramin, pa ju hyrë as ne vesh, e as në tru ndonjë mesim i Allahut, si psh. të doni krijesën e Zotit si veten."

Article Logic
Execution time: 0.002708911895752
array(1) { ["section"]=> string(73) "dhe-neser-si-nje-komb-hipokrit-mos-harroni-te-uroni-me-fat-bajramin-90781" }