
Forcat indiane dhe pakistaneze kanë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri dhe artileri në vijën kufitare të kontestuar në rajonin e Kashmirit, duke lënë të paktën pesë civilë të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur.
Në anën e Kashmirit të administruar nga Pakistani, një zyrtar i policisë lokale, Adeel Ahmad, raportoi se goditjet e rënda nga artileria indiane në vijën e kontrollit lanë katër civilë të vdekur dhe plagosën të paktën 12 të tjerë. Banorët thanë se breshëria e zjarrit vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të së premtes.
“Jemi mësuar me shkëmbime zjarri midis Pakistanit dhe Indisë në vijën e kontrollit, por mbrëmë ishte ndryshe,” tha Mohammad Shakil, një banor i fshatit kufitar Chakothi.
Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë indianë raportuan se forcat pakistaneze kanë hapur zjarr mbi pozicionet e tyre në disa pika të kufirit, duke përdorur artileri të rëndë, mortaja dhe armë automatike. Forcat indiane u kundërpërgjigjën, duke shkaktuar përleshje të ashpra që zgjatën deri në agim.
Në anën indiane, një grua humbi jetën dhe dy civilë të tjerë u plagosën në sektorin Uri, duke çuar numrin total të viktimave civile në Indi, që nga e mërkura, në 17.
Tensionet mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore janë rritur ndjeshëm pas një sulmi vdekjeprurës më 22 prill, ku 26 civilë, shumica turistë hindu-indianë, u vranë në një vend të njohur turistik në Kashmirin e administruar nga India.
India ka akuzuar Pakistanin për mbështetje ndaj grupeve ekstremiste që kryen sulmin, një akuzë që Islamiabadi e ka mohuar me forcë.