Gara qesharake e fotolajmit me Foton e Ditës

Publikuar tek Analiza & Komente
Premte, 09 December 2016 18:44

Nga Ivana Dervishi

Të martën mbrëma të 29 nëntorit, ndërsa mijëra njerëz shihnin live në faqen e kryebashkiakut të Tiranës pamjet nga droni të koncertit të Natës së Bardhë në sheshin Nënë Tereza, nëse kuadri do të zmadhohej dhjetëra herë për në zonën e rrethuar pranë skenës, në atë që dukej një atmosferë e paparë feste do të shihnit panoramën e shëmtuar të censurimit të medias.

“Nuk na kanë lajmëruar që të lejojmë media”, tha përgjegjësi i rojave duke iu referuar zonës së krijuar përpara skenës, e cila zakonisht shërben për median dhe rëndom në Shqipëri për forumet rinore të partive në pushtet.

Krah meje një gazetare në tension kërkonte me ngulm t’i pasqyrohej programi që të mund ta raportonte në lajme.

Kjo ishte përmbyllja e hidhur e një nëntori, i cili nisi po ashtu.

Në fillim të nëntorit, në ceremoninë e inaugurimit të uniformave të reja të policisë në oborrin e Ministrisë së Brendshme, një civil më ndaloi dhe kërkoi të dinte se kush isha dhe çfarë bëja.

Pasi i hodhi një sy kartës sime të gazetares, që unë nuk preferoj ta mbaj të varur në qafë, në një botë ku informacioni duhet të jetë i hapur për të gjithë, ai vendosi të bënte një telefonatë për t’u siguruar.

“Komandant, kam këtu një gazetare. Do të bëjë ca foto. A lejohen fotografët e jashtëm apo kemi fotografin tonë? Ëhë, ëhë. Mirë.” – ai mbylli telefonin dhe pastaj më dha ‘lejen’ për të fotografuar në këtë rast.

Pavarësisht faktit që dikush zgjedh të të vërë dorën përpara kamerës dhe të kërkojë llogari se përse po fotografon, ajo që më vrau më shumë veshin ishte biseda mes vartësit dhe shefit për fotografin tonë.

Termi “fotografi ynë”, vazhdon të thuhet me entuziazëm sepse lidhet me një person që nxjerr bukur në foto shefin.

“Fotografi ynë” ishte ndër mjetet kryesore të krijimit të një figure të mirë të kandidatëve në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës dhe më pas ato vendore në vitin 2015 në Shqipëri.

Dhjetëra kolegë të mitë fotografë u shpërndanë në Shqipëri me fokusin te kandidatët në zgjedhje, në atë që ishte një garë e ashpër për pëlqyeshmërinë e publikut virtual të Facebook.

Dhe sot më shumë se kurrë, një foto profesionale i shërben zyrtarëve për të zbukuruar hendekun që lënë fjalët e paqarta dhe deklaratat e vagullta, shtuar këtu përdorimin e imazhit të dhjetëra ose qindra pjesëmarrësve të tjerë si garanci e integritetit të zyrtarit.

Kështu, “fotografi ynë” – zakonisht një person me njohuri të mira në fotografi, me një rrogë fikse dhe me një aparat që kushton të paktën 3000 dollarë i cili merr direktiva të qarta për mënyrën se si duhet të duket në sytë e të tjerëve një ngjarje – konkurron për hapësirë me një fotoreporter/e – një person i cili udhëhiqet nga parimet mediatike të pasqyrimit të paanshëm të ngjarjeve.

Në këtë pikë, ajo që shpërndahet në profilet me qindra mijëra fansa të politikanëve shqiptarë, e cila reklamohet me kapitalet FOTOJA E DITËS, po zapton egërsisht hapësirën mediatike duke u kthyer në një mjet të rrezikshëm dhe të njëanshëm të informimit.

Duke u mjaftuar me disa foto të mira të një ministri apo kryebashkiaku, nëpunësit civilë nuk e gjejnë kuptimin e një syri të dytë ose njëqindtë fotografik.

Në progres-raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë vlerësohej se “Vendi ka një nivel të ulët/është në mënyrë të moderuar i përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes; Gjithsesi, nuk pati progres në këtë fushë përgjatë vitit të fundit”.

FOTOJA E DITËS, megjithatë, sado artistike të jetë shkrepur nuk mund të zëvendësojë kurrsesi fotolajmin.

Fotoja e Ditës nuk ka pothuajse asnjëherë një autor të cituar, sepse ajo është blerë pa të drejta të përmendura nga personi/zyrtari që në këtë rast shërben si model.

Ajo nuk tregon një ngjarje që ndodh në mënyrë spontane, por është fotografi e porositur që lidhet me pseudolajmin, jashtë çdo objektiviteti të dhënies së informacionit.

Fotot e Ditës janë zakonisht të qeshura, karizmatike dhe imponojnë dashuri apo respekt për personazhin kryesor dhe shumë lehtë mund të manipulojnë çdo situatë duke përdorur hiletë e profesionit për kompozimin, dritën, këndin apo detajet.

Fotolajmi nga ana tjetër e spektrit, ka gjithnjë një autor të cituar, i cili mund ta ushtrojë profesionin e fotoreporterit i lirë ose pranë një medie dhe që mban përgjegjësi për fotot e tij/saj.

Subjekti i fotolajmit janë njerëzit të cilët po marrin pjesë në një ngjarje që ndodh në mënyrë spontane dhe parimi kryesor mbetet raportimi i vërtetë dhe i paanshëm i ngjarjes.

Fotolajmi rrallë mund të ofrojë fytyra të qeshura dhe përqafime të politikanëve me elektoratin, pasi e ka fokusin të kapë sinqeritetin e çastit dhe thelbin e lajmit.

Thënë shkurt, fotolajmi është pjesë e informimit të gjerë bazuar te parimet dhe etika mediatike, ndërsa Fotoja e Ditës një shkrepje propagandistike me në qendër “një hero”.

Këtë megjithatë nuk mund ta kuptonte një nga rojet në BunkArt2, i cili ishte siguruar që të gjithë fotoraporterët dhe gazetarët të rrinin ulur në një nga stolat jashtëm të muzeut të viktimave të përndjekjes komuniste në Shqipëri, ndërsa brenda kishin hyrë të merrnin pjesë në inaugurim zyrtarët e lartë dhe ata që ishin përzgjedhur me ftesa.

I pyetur se përse brenda bunkerit ndodhej një kamera, roja i ngrysur më sqaroi sikur të ishte gjëja më normale e mundshme: “Janë kameramanët tanë, po bëjnë regjinë tonë” dhe me të vërtetë ata kishin të stampuara në bluza BunkArt2.

Ky ishte inaugurimi i një vepre që lidhet me hapjen e Shqipërisë ndaj krimeve të të shkuarës, përballë një të tashmeje që duket se po ofron gjithnjë e më pak liri për median.

Disa metra më tutje, një punëtor i Bashkisë buzëqeshte për kamerën ndërsa pozonte për Foton e Ditës duke prerë bimët dekoruese përballë institucionit.

Në fillim të dhjetorit, pas një muaji censurues si nëntori, më mbërrin ironikisht në email lajmërimi se një bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës kishte shpallur edhe foton time si ndër më të mirat për promovimin e natyrës vjeshtake të Tiranës. Shpërfillja e këtij vlerësimi ishte e vetmja përgjigje e denjë për një fotoreportere të censuruar sistematikisht në Shqipëri.

Që kur fotoreporterët lejohen vetëm të shkrepin peizazhe? Mos ndoshta ky është lloji i fotografisë që “fotografët tanë” nuk pëlqejnë ta bëjnë?

*BIRN

Modifikuar më Premte, 09 December 2016 18:48

Ora

Barometri i Ditës



Shtypi i Dites

Sondazh

Marrëveshja Rama-Basha, kush fitoi?

Analiza & Komente

Basha nuk njeh Katoliket dhe i flet goja para mendjes

Atehere kur Katoliket e veriut vuanin perndjekjen dhe terrorin komunis...

"Katër sinjale pozitive nga Kosova"

Nga Afrim Krasniqi ...

Na drithërove Arbanë…

Nga Mesila Doda Fotot e tua kalonin parafytyrimin tim dhe çdo...

“Koalicioni PS-PD, si zgjidhje afatgjatë për vendin”

Gazetari dhe analisti Mentor Nazarko, në një shkrim të ...

Ministritë dhe loja me cingla

Nga Dr. Sorina Koti, koordinatore, Partia Demokratike Ministritë...

4 ditët pa gjumë të Armando Dukës dhe mijëra kilometra brenda 2 muajve

Nga Anila Basha Armand Duka u mendua jo shumë gjatë, në...

Nën çadër dhe jashtë saj

Nga Elton Derjaj Në një kohë kur agjenda e vendit &eum...

Na duhen profesionistë zotërinj, jo vetëm nizamë për në front

Nga Shpëtim Nazarko Kisha dhënë diku një intervis...

Diana nuk është vetëm

Nga Luljeta Progni ...

Pse talentet e sportit përfundojnë në grevë urie?!

Nga Orest ÇIPA   Papritur, njësoj sikur “shkr...

Dossier

Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton mbush sot 70 vjeç

William Jefferson Clinton ose siç njihet ndryshe Bill Clinton &...

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Nga Arben LLALLA Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku n&...

Parku i Lurës: Shpresa ka formën e fidanit të pishës

500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e di...

Lazarati e gjen të vështirë jetën pa drogën

Fatjona Mejdini - BIRN Rreth dy vite pasi policia zbarkoi në fsh...

Gratë nga Kosova në krye të kampeve të ISIS-it (Foto)

Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të E...

Kontaktet Tona

Address: Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Tel: + 355 69 92 22201

Mob 2: +355 69 92 22202

Email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Website: http://www.newsbomb.al