
Bitcoin ka kaluar për herë të parë pragun e 100 mijë dollarëve që nga fillimi i shkurtit, duke shënuar një rikthim të fortë në treg pas një periudhe paqartësie. Rritja vjen pas një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, që është interpretuar si sinjal lehtësimi i tensioneve tregtare të nisura nga presidenti Donald Trump.
Ethereum gjithashtu ka regjistruar një rritje mbi 14%, duke arritur mbi 2 mijë dollarë. Analistët mendojnë se rikthimi i shpejtë i Bitcoin mbi 100 mijë dollarë tregon potencial për të tejkaluar nivelin rekord prej 109 mijë dollarësh të arritur në janar.
Në muajt e kaluar, çmimet e kriptovalutave kishin rënë ndjeshëm për shkak të shqetësimeve rreth vonesave në kornizën rregullatore të premtuar nga administrata Trump.
Megjithatë, së fundmi presidenti ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për krijimin e një rezerve strategjike në bitcoin, çka pritet të rrisë besimin e investitorëve në tregun e aseteve dixhitale.