"Çfarë duhet dhe mund të presim nga 2017?"

Publikuar tek Analiza & Komente
Tuesday, 03 Janar 2017 15:50

Nga Afrim Krasniqi

Në ditët e ndërrimit të viteve disa milionë urime u shkëmbyen midis qytetarëve. Secili uronte për shëndet, sukses, mbarësi dhe fat. Teorikisht të gjitha dëshirat nuk mund të realizohen, - sepse në një botë konkurruese jo të gjithë mund jenë të suksesshëm dhe sepse jo të gjitha gjërat janë çështje fati. Praktikisht shanset për sukses në një shoqëri të mbyllur, arrogante dhe eksperimentale si shoqëria shqiptare, janë minimale. Për ta kuptuar këtë na ndihmuan mediat e vitit të ri: a nuk u mbushën studiot, programet dhe mediat me fytyra politikanësh që përçonin mesazhe suksesi, promovim suksesi, raste suksesi? Sukses quhet të kesh pushtet, të vendosësh mbi të tjerët, të jesh i pasur për shkak të postit, pra modelet që na u sollën në ekranet e ndërrimit të viteve? Ku tjetër ndodh që politikanët shtrojnë darka e dreka, shpërndajnë dhurata dhe banesa, duke mos paguar asnjë qindarkë nga xhepi i tyre personal dhe duke e shitur gjithçka si model humanizmi dhe suksesi? Dhe në fund të fundit, a nuk janë ata vetë drejtuesit politikë të djeshëm e të sotëm arsyeja kryesore përse në këtë vend fjala “sukses” nuk ka kuptim klasik të suksesit?

Mjafton kjo panoramë e dehjes së fund/fillimvitit për të lexuar sesi do jenë 365 ditët e vitit 2017. Ata, politikanët, do vijojnë të jenë dominues, përcaktues, kontrollues, sundues, arrogantë dhe po aq shpërfillës ndaj realitetit e vlerave sa ishin dje dhe janë sot. Sistemi i vlerave mbetet i burgosur, në një shoqëri ku antivlerat, - arti tallava, sport të bazuar në baste, librat pa vlerë, spektaklet e kopjuara pa mesazh e risi, media e prangosur nga milionat informale të politikës dhe politika e sharjes, denigrimit, konfliktit, klientelës dhe militantëve, - janë e mbeten dominuese. 2017 nuk ka shans të ndryshojë këtë piramidë të përmbysur të vlerave, thjesht do ta ushqejë dhe ruajë atë, për shkak se pakica, përfituese e sistemit, është dominuese mbi shumicën, e kontrollon dhe e përdor atë me lehtësinë e plastelinës.

Viti 2017 do jetë sprovë për zgjedhjet, sprovë për jetësimin e reformës në drejtës, sprovë për dekriminalizimin e politikës dhe sprovë për aftësinë e Shqipërinë, minimalisht, të mos bëjë hapa pas.

Zgjedhjet nuk zhvillohen vetëm me 18 qershor, por ato përfshijnë bazën ligjore (Kodin Zgjedhor), bazën administrative (administrimin e tyre, financimin, burimet njerëzore e teknike), si dhe potencialin cilësor të përfaqësimit (cilësinë e kandidatëve, integritetin e përzgjedhjes së tyre, si dhe programin/alternativën që ata paraqesin). Deri tani kur kanë mbetur më pak se 6 muaj nga zgjedhjet asnjëri prej këtyre komponentëve nuk është plotësuar dhe as ka gjasa të plotësohet. Kodi ka mbetur i njëjtë, kontrolli partiak mbi administrimin është i njëjtë, financimi është vijon të mbetet banka informale e politikës konsensuale, emigrantët nuk do votojnë, qytetarët nuk do kenë mundësi të zgjedhin deputetin që duan, liderit kanë kontroll 100% mbi listat e deputetëve, partitë nuk kanë dallime programore, shteti është çdo ditë në funksion të partive dhe se pritshmëria publike për ndryshim është e mbetet minimale.

Reforma në drejtësi e tejkaloi bllokimin parlamentar e në Gjykatën Kushtetuese, por jetësimi i saj ka një numër të madh pengesash përpara. Janë 27 ligje të tjera plotësuese që duhen miratuar, njëherësh 27 raste që mund të kontestohen dhe ankimohen, ndërkohë që ngritja e strukturave të reja dhe fillimi real i punës së tyre kërkon dyfish kohë më shumë. Koncepti i vetingut është ende shumë më i mitizuar sesa realist, - edhe për vetë faktin se drejtuesit e procesit, - politikanët drejtues dhe ekspertët e lartë, në shumicën e tyre nuk do ta kalonin vetë testin e vetingut. Ndikimi ndërkombëtar mund të jetë përcaktues në rastet më flagrante publike, por veprimi horizontal në gjithë sistemin kërkon shumë më tepër kohë, vullnet politik, potenciale njerëzore dhe transparencë, - cilësi të cilat një vit zgjedhor si 2017 nuk ka shanse teorike për ti përmbushur.

Dekriminalizimi kulmoi me heqjen e dy mandateve parlamentare dhe shkarkimin e një kryebashkiaku. Procesi i tyre nuk ka mbaruar ende dhe do kërkojë të paktën edhe 30-45 ditë të tjera, gjithnjë, nëse ankimimet e tyre rrëzohen dhe vendimi i KQZ mbetet në fuqi. Përderisa prokurorisë dhe politikës iu deshën 365 ditë të marrë vendim për 3 raste, të cilat ishin fakte të njohura publike dhe pjesë e çdo raporti ndërkombëtar, imagjinoni sa kohë do ti duhet të realizojë pastrimin e politikës nga më shumë se 20 raste të tjera flagrante në parlament, në krye të bashkive dhe në nivele të larta të qeverisë!? Për më tepër, me afrimin e zgjedhjeve dekriminalizimi mund të gjejë alibinë e re, - vetë të inkriminuarit qëndrojnë jashtë listave të tri partive kryesore, por ata drejtojnë fushatën, menaxhojnë procesin dhe sponsorizojnë familjet apo partnerët e tyre të biznesit/politikës duke qenë njëherësh “politikisht korrekt” me kriteret e dekriminalizimit. Shikoni tri rastet e fundit: asnjë parti nuk i përjashtoi ata të tre nga strukturat e tyre drejtuese, siç përcaktohet nga rregullat e tyre statusore dhe etike, - përkundrazi. Një paralajmërim i qartë se partitë mbeten avokatet më të forta të individëve të inkriminuar dhe se zgjidhja duhet të nisë nga vetë katarsisi brenda partive politike.

Së fundi, a ka Shqipëria potenciale për të bërë përpara? Gjatë 2016 Shqipëria e humbi shansin e votës perëndimore pro integrimit. 5 kritere të përgjithshme të Brukselit dhe 7 kriteret e detajuara gjermane u injoruan në Tiranë, duke kërkuar alibi tek rreziku rus, të rreziku islamik, tek fobitë antishqiptare, apo tek sponsorizimet politike rivale. Në fakt, me alibi të tilla mund të sundosh në Tiranë, por shfaqesh qesharak dhe provincial në qendrat vendimmarrëse politike. Dhe vendimi merret prej këtyre të fundit diku nga mesi i vitit 2018. Ndaj përpos vetingut, të paktën nuk duhet të bëjmë zgjedhje më të këqija sesa 2013 e 2015, nuk duhet të krijojmë kriza të reja politike nga ato të bojkotit apo konfliktit politik pa sens, nuk duhet të lejojmë më që Shqipëria të gjelbërojë nga tregu i hashashit dhe nuk duhet t’i detyrojmë qytetarët të emigrojnë. A do të kemi zyrtarë të lartë përpara ligjit? Jo. E thjeshtë. Ata që janë më përgjegjës, më të përfshirë në skandale dhe kanë rekorde më të larta korrupsioni janë drejtuesit e procesit dhe politikës, janë partnerët kryesorë të ambasadave e shteteve të huaja dhe kanë kontrollin mbi gjithçka, përfshirë prokurorinë, gjyqësorin, policinë, median dhe publikun. Për raste të niveleve të dyta ka pasur e do ketë arrestime, por bilanci anti-korrupsion me ta mbetet kilometra larg modeleve të suksesit në Kroaci, Slloveni, Bullgari, Rumani e vende të tjera ballkanike, tashmë në BE.

Atëherë çfarë pritet të jetë 2017? Një vit ndryshimi? Jo. Një vit surprizash? Jo. Një vit zhvillimi e rritjeje ekonomike? Jo. Një vit projektesh të mëdha? Jo. Një vit pastrues për politikën? Jo. Një vit integrues për vendin? Jo. Një vit i medias të lirë? Jo. Arsim? Kulturë? Art? Sport? Në vendin ku elitat mbijetojnë rrugëve dhe injoranca dukshëm promovohet e drejton? Jo dhe jo. Ekzistojnë një numër i madh “jo”- sh dhe një listë e gjatë shpresash pa shanse për realizim. Atëherë çfarë mbetet? Për ata që janë mësuar me mbijetesën, iluzionet, aventurën dhe spekullimin me siguri 2017 do japë alibi e ushqim për tu ndierë optimistë. Për ata që dinë të dallojnë realitetin nga përrallat, jetesën nga mbijetesa, shanset nga mundësitë, mbeten shpresa, urimi, mundësia dhe potenciali që 2017 të paktën të mos dëmtojë më shumë sesa vitet që kaluam e po kalojmë. Sepse ndryshimet e mëdha kërkojnë elita mendimi, politikanë vizionarë e idealistë, potenciale ekonomike, shoqëri qytetare dhe institucione me integritet, - tregues që fatkeqësisht nuk i kishim më 31 dhjetor dhe nuk mund ti kemi as me 1 janar 2017.

Modifikuar më Tuesday, 03 Janar 2017 15:52

Ora

Barometri i Ditës



Shtypi i Dites

Sondazh

Pas humbjes, a duhet të japë dorëheqjen Lulzim Basha

Analiza & Komente

"Shën" i përkohshëm konflikti dhe tutor elektoral

Nga Aleksandër Çipa Presidenti i ri i vendit, i cili ende...

Artan Fuga: Pluralizmi politik ëndërr e parealizuar

*Nga Artan Fuga Aktualisht në prag të kësaj dite zgjed...

Lorenc Vangjeli: Trump, Berisha dhe një vjedhës me udhëheqës

 *Nga Lorenc Vangjeli Tre foto burrash me burra kanë &ldquo...

Artan Fuga: Deputetlliku nuk është profesion

Profesori i njohur Artan Fuga nëpërmjet një statusi n&e...

'PD pa Topallin e Patozin, parti pa këmbë dhe pa mendje të fortë'

Nga Arben Vata Një PD pa Topallin dhe Patozin në parlament...

Basha nuk njeh Katoliket dhe i flet goja para mendjes

Atehere kur Katoliket e veriut vuanin perndjekjen dhe terrorin komunis...

"Katër sinjale pozitive nga Kosova"

Nga Afrim Krasniqi ...

Na drithërove Arbanë…

Nga Mesila Doda Fotot e tua kalonin parafytyrimin tim dhe çdo...

“Koalicioni PS-PD, si zgjidhje afatgjatë për vendin”

Gazetari dhe analisti Mentor Nazarko, në një shkrim të ...

Ministritë dhe loja me cingla

Nga Dr. Sorina Koti, koordinatore, Partia Demokratike Ministritë...

4 ditët pa gjumë të Armando Dukës dhe mijëra kilometra brenda 2 muajve

Nga Anila Basha Armand Duka u mendua jo shumë gjatë, në...

Dossier

Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton mbush sot 70 vjeç

William Jefferson Clinton ose siç njihet ndryshe Bill Clinton &...

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Nga Arben LLALLA Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku n&...

Parku i Lurës: Shpresa ka formën e fidanit të pishës

500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e di...

Lazarati e gjen të vështirë jetën pa drogën

Fatjona Mejdini - BIRN Rreth dy vite pasi policia zbarkoi në fsh...

Gratë nga Kosova në krye të kampeve të ISIS-it (Foto)

Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të E...

Kontaktet Tona

Address: Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Tel: + 355 69 92 22201

Mob 2: +355 69 92 22202

Email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Website: http://www.newsbomb.al