Pse nuk duhet të ma prekësh Valbonën!

Publikuar tek Analiza & Komente
Hënë, 07 November 2016 21:07

Nga Suadela Balliu

Po rikthehesha në Valbonë pas dy vitesh. Motivet e vizitës, kësaj here, nuk qenë të njëjtat. Nuk po shkoja si turiste për t’u mahnitur me kurorën e maleve që përqafon luginën e butë – që megjithatë çdo herë të lë pa frymë dhe i gjithë peizazhi duket sikur shijohet për herë të parë –siç kisha bërë dy vjeshta të shkuara me mikeshat e mia, Anin dhe Artën.

Rruga kësaj here u duk më e shkurtër …Nuk morëm shtegun e gabuar që në vend të na zbriste në luginë na ngjiste drejt bjeshkëve lart, ku kishte vetëm kullota e stane e as automjeti me të cilin po udhëtoja nuk pësoi avari nga fërkimi me masive gurësh në rrugën e pashtruar malore… Ama ishte pikërisht kjo ndodhi, dy vite më parë, që na bëri të dashurohemi njëherë e përgjithmonë me ato vise dhe mikpritjen e pashoqe.

Pasi Citroeni ynë i vogël na la në baltë në një rrugë të shkretuar malore në një natë të errët që ndriçohej vetëm prej yjeve, një fuoristradë që zbriste prej fshatit Çerem u bë shpëtimtarja jonë.

Burrat e asaj makine zbritën menjëherë për të na ardhur në ndihmë. Me gjithë mosbesimin tonë –ushqyer me ngjarje të pakëndshme metropolesh , ku sheh vetëm buzëqeshje kortezie, mungesë sinqeriteti dhe maska –ata u treguan të gatshëm jo vetëm të na ndihmonin me automjetin, por edhe të na jepnin sigurinë se ne ishim “motrat e tyre” se na kishin “në besë” , mjaft që ne të ishim të qeta, të mos mërziteshim e gjithçka tjetër do e zgjidhnin ata. Zbritja, herë duke tërhequr me kavo e herë duke e lënë në “affolio” makinën, ishte e mundimshme dhe zgjati për gati dy orë deri në qytetin e Bajram Currit. Fundjava po shkatërrohej ashtu si masa e hekurishtes thuajse e pashpirt që lëvizte me forcën e shtytjes humane. Nuk do të mundnim ta shihnim Valbonën. Ajo kishte qenë gjithnjë aty, krahëhapur, për të pritur e përcjellë vizitorë, për të marrë barra dhe për të lehtësuar brenga njerëzish të lodhur nga jeta, për t’iu bërë udhë aventurierëve, për të strehuar eksploratorët…Por ne kishim vonuar shumë në takimin me të. Dhe ja ku ishim…fare pak kilometra dhe nuk mund ta preknim. Por shijen e mirë e kishim marrë deri në atë pikë kthese; me kanionet, ujërat e bruztë e plot shkumë që gjarpërojnë herë djathtas e herë majtas, pastaj kishim nisur të shpalosnim imagjinatën me skenarët e shpellës së Dragobisë, e madje kishim recituar edhe vargjet e Nolit…

Kthimi në qytetin e Tropojës ( më është dukur gjithmonë se me emrin e heroit që lartësohet në shtatore në qendër, identifikohen vetëm vendasin) ishte i trishtë. Qyteti i vogël dukej sikur i kishte gllabëruar edhe ata pak njerëz që kishim kundruar kalimthi gjatë ditës. Mbrëmja kaloi në përpjekje për të gjetur mundësi transporti për ta arritur Parkun Kombëtar.

Paraditja në qytetin e Bajram Currit të ngjante me ndonjë prej skenarëve të filmave western. Koha ka ndalur kushedi në ç’dekadë, ata që popullojnë të paktat kafene janë burrat, edhe tregu i vogël në bulevardin kryesor është i mbyllur në ditë të diel. Gratë doemos qëndrojnë brenda mureve të shtëpisë duke u marrë me punë. Qyteti qëndron në shpërfilljen e vet, sikur të donte të përftonte sa më shumë nota urbane. E kundërta ndodhte me të dalë prej tij…

I vetmi furgon i itinerarit Bajram Curri –Valbonë nisej në dy pas dreke. Ishte shansi ynë i vetëm ta vizitonim Valbonën, pasi makinën e kishim lënë në servis. Skena në automjetin e rrëgjuar prej viteve, por edhe mbipeshës ishte ajo e një filmi tragjikomik. Gra me shami të bardha në koka, burra të moshuar me çibukë, fëmijë, të rinj bashkoheshin me mallra ushqimorë si ca thasë mielli mbi çatinë e automjetit, arka me speca e domate nën këmbët e pasagjerëve, shalqinj e pjepra mes pedaleve të shoferit, bikerina vezësh mbi kroskot…

Furgoni i pasagjerëve shërbente edhe si furnizues për komunitetin e vogël të bujtinave në fshat.

Asnjë parehati nuk do të krahasohej me mrekullinë e natyrës. Si një vajzë e vetëdijshme për bukurinë, Valbona nuk bënte asnjë ojnë, veçse të ftonte të merrje pak nga hiret e saj. Për këtë mjaftonte një frymëmarrje e thellë. Kreshta e maleve, pyjet rretheqark, aroma e bredhave, shtrati i lumit, ushqimi i shijshëm dhe i gatuar mirë …Në ato pak orë që na kishin mbetur duhej patjetër të vizitonim një nga atraksionet e Parkut ( në pamundësi të bënim ngjitje në njërin prej maleve që e përqafonin luginën ). Ujëvara e Rragamit ishte një sprovë për ne që ecjet më të gjata quajmë ato që arrijnë në 1 apo 2 kilometra në ditë. Pas afro dy orësh udhëtim me Dumdum dhe ecje në këmbë arrije deri në çarjen e malit. (Aty mbase kishin pirë ujë Muji dhe Halili apo ishin shfaqur Orët e Malcis…).

Kthimi drejt qytetit do të ishte aventurë më vete. Samiu, një banor i Valbonës, i cili bashkë me të vëllain shërbenin si guidë për turistët, pranoi të na shoqëronte me makinën e tij deri në qytet. Sigurisht mirësjellja e tij, ashtu si edhe të gjithë vendasve, na dukej pak arkaike dhe përkujdesja gati vëllazërore na bënte habi.

Ishim ne jashtë kohe apo ata, banorët që ishin gjithnjë të gatshëm të ndihmonin nevojtarët? Ku kishin humbur këto vlera te ne, që habiteshim kaq shumë? Pse nuk i gjenim më në qytetet e mëdha? A ushqeheshin vallë nga ujërat e akujve që shkrinin? A rriteshin me shirat? A hidhnin shtat me pyjet? Po egërsinë, që kishim dëgjuar se ishte jo vetëm ndër kafshë grabitqare por edhe ndër njerëz, përse nuk e pamë askund? A duhej të ngjiteshe aq shumë mbi nivelin e detit të frymëmerrje natyrë dhe humanizëm?

Të gjitha skemat tona ranë dhe paragjykimet do ia linin vendin gjykimit të arsyeshëm. Ngase kishte mbetur e paprekur, ngase malet ruanin me fanatizëm atë luginë, lumë dhe pyje, gjithë ç’pamë kish mbetur e bukur, përfshirë edhe njerëzit.

Dy vjet më pas, Valbona më thërret sikur të më thoshte: Eja shihi, përrenjtë e mi edhe njëherë të fundit! Eja, ngopu me gurgullimë dhe ajër të pastër përpara se të më burgosin, përpara se të ngrenë mbi mua hidrocentrale, përpara se banorët do të kthehen në fantazmat e atyre ç’kanë qenë! Ujërat e lumenjve nuk ushqejnë vetëm tokën, vetëm të mbjellat, nuk rrisin vetëm troftat, por formësojnë edhe kreshnikë të rinj, të mbetur atje si një ekzemplar i lashtë i llojit njerëzor, që beson ende te bujaria…Si do të jetë e ardhmja e atij vendi të mëkuar prej zanave, e nëmur prej njerëzve dhe e bekuar prej hyjve ? Askush nuk e di. Banorët i druhen më së keqes dhe ironikja këtu…me aq sa rrëfenin vendasit është se megjithë projektet e njëmbëdhjetë apo dy hidrocentraleve qofshin, nuk është parashikuar asnjë rrjet shpërndarjeje për fshatin ,që dimrit vuan për energji elektrike e me muaj të tërë i çon netët me dritën e qiririt.

Nuk është se në emër të natyrës hedhim poshtë progresin. Por në emër të progresit a shfajësohet vallë masakra?! Shuarja e një legjende, mpakja, vdekja, harresa…

Asnjë qytetar nuk do të kishte përse ta refuzonte zhvillimin nëse do të bëhej me tejpashmëri dhe besnikëri( që votuesi të mos jetë mbret vetëm të dielën kur hedh votën në kuti), por edhe me mençuri. A ka vallë një strategji zhvillimi qeveria për këtë vend? Nëse e mëparshmja nuk pat, e për këtë edhe humbi, a nuk duhet që e reja ( që nuk është më edhe aq e re) të vendosë shtyllat e saj? Për çka të flitet për vendin e vogël në rajonin e Ballkanit? Bregdeti dhe malet – e pikërisht ajo Valbonë bashkë me Thethin – kanë folur më shumë se shumë deklarata politikanësh. A duhet të zhvillojmë turizmin apo të kthehemi fuqi eksporti të energjisë elektrike? A duhet të kemi diçka tonën apo gjithçka të dhënë me koncensione? Do të nisim të ndërtojmë apo do të eksperimentojmë gjithmonë?

A ia vlen vdekja e një lumi? Në mos vdekja – siç kryeministri përpiqet të na qetësojë për të mos i imagjinuar ato HEC-e si përbindëshat e këqij –do të vijë humbja e një identiteti.

Nëse vdekja do të vijë, të paktën të ketë sytë e bruzta të Valbonës dhe jo lëkurën prej plastike të zezë të tubave që ia thithin shpirtin…

Që të mos themi “Na ish dikur një luginë, e strukur mes kreshtash malesh , e veshur me brymë mëngjesi ku jetonin bashkë njerëz edhe zana, peshq, kafshë e shpendë dhe një ditë ndërsa ajo kishte hapur dyert për të huajin që trokiti në derën e saj…ia behu Bajlozi ( me emër hidrocentralesh) dhe ia mori jetën pa iu dhimbur…”

*Madame Mapo

Modifikuar më Hënë, 07 November 2016 21:09

Ora

Barometri i Ditës



Shtypi i Dites

Sondazh

Nga vjen pasuria e madhe e disa gazetarëve në Shqipëri?

Analiza & Komente

“Djalli fshihet në detaje”

*Nga AFRIM KRASNIQI  “Djalli fshihet në detajet&rdquo...

E duam rininë si gjithë europa...

Nga JULIAN HOXHAJ Pak e transformuar por aspak jashtë thelbit. I...

‘PISA’ DHE PISAT E SHQIPËRISË

Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI për newsbomb.al Pas njohjes me r...

Këtë farë mbollëm, këtë do korrim!

Nga Enkel Demi Vdekja është një çast ndalese, j...

Dossier

Historia e diasporës shqiptare

Emigrimi ka qenë historikisht pjesë e zhvillimit njerëz...

Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton mbush sot 70 vjeç

William Jefferson Clinton ose siç njihet ndryshe Bill Clinton &...

Hasan Prishtinën nuk e vrau Ibrahim Çelo

Nga Arben LLALLA Po mbushen 83 vite nga 13 gushti i vitit 1933, ku n&...

Parku i Lurës: Shpresa ka formën e fidanit të pishës

500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e di...

Lazarati e gjen të vështirë jetën pa drogën

Fatjona Mejdini - BIRN Rreth dy vite pasi policia zbarkoi në fsh...

Gratë nga Kosova në krye të kampeve të ISIS-it (Foto)

Kosova ka qenë një nga vendet më proamerikane të E...

A shkoi Gjergj Kastriot Skënderbeu për pelegrinazh në Mekë?

Në një nga poemat e poetit Persian Ferdousi, Shahnameh &ldqu...

Themelimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar

Nga Karl Gurakuqi Shkëputur nga ditari i tij… Ditar The...

Kontaktet Tona

Address: Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Tel: + 355 69 98 44442

Mob 2: +355 69 98 44441

Email: This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.

Website: http://www.newsbomb.al