
Në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në orën 11:00 të ditës së mërkurë, 21 maj 2025, u bë prezantimi i librit “Nefes-Jeta ime”, i
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka prezantuar këtë të mërkurë librin e tij “Nefes-Jeta ime”, në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë.
Të pranishëm ishin klerikë bektashian nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, klerikë të besimeve të tjerë fetarë, teologë, historianë dhe dashamirës të shumtë dhe prezantimi i aktivitetit u bë nga aktori i njohur Bujar Asqeriu.
Pas Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe Himnit Bektashian, Prof. Dr. Ethem Ruka, bëri një prezantim të shkurtër të librit të Dede Edmond Brahimajt, ndërsa pati dhe interpretime nga aktorë e diskutime nga pjesëmarrës të tjerë.
“Jam shumë i nderuar që sot ndaj me ju një punë disamujore të përgatitjes dhe botimit të librit ” Nefes” Jeta ime. Një autobiografi e përmbledhur shkurtimisht me ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënjuar fëmijërinë, adoleshencën, formimin profesional e më tej përkushtimit ndaj misionit tim si klerik.
Ndarja nga jeta e njerëzve më të dashur, gjyshërve, motrës sime të vogël Linditës, babait tim Hysenit, myrshidit tim të dashur Dede Reshat Bardhit e deri para pak muajsh nënës sime të shtrenjtë, më kanë lënduar thellë në shpirt por ka qenë forca e besimit që më ka bërë të vazhdoj përpara në misionin tim të shenjtë e mistik të udhëhequr nga Zoti.
Zoti dhe këta shenjtorë që kanë luftuar për bektashizmin , që ky tarikat të jetë ai që është sot, i njohur në të gjithë botën, kanë qenë ndihma ime në çdo vepër të kryer në të mirë të njerëzimit e besimit. 14 vjet në postin e Kryegjyshit, sfidat, mundimet, e përpjekjet e vazhdueshme që bektashizmi në lulëzojë në zemrat e besimtarëve lirisht, si një besim i palëkundur përballë vështirësive që sjell koha”, është shprehur Baba Mondi.
“Nefes” vjen si një melodi shpirti, ku lexuesi do të ndjejë e përjetojë ndjesitë e fazave jetësore të ndryshme në të cilat Baba Mondi ka kaluar, nga fëmijëria, e mandej rinia, universiteti i Akademisë së sigurisë e ai i jurisprudencës, rrugëtimi në misionin e klerikut nga Dervish, baba, Kryegjysh Botëror, deri sot, që mbushen plot 66 vjet të jetës së tij.