7 sugjerime për PD-në e Bashës

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:09 08-09-2017 7 sugjerime për PD-në e Bashës

Nga Namir Lapardhaja

Çelja e legjislaturës së re parlamentare shënon rrugëtimin e mandatit të dytë të qeverisë socialiste. Në këto vitet e pluralizmit në Shqipëri ka pasur një parim të pashkruar të rotacionit të pushtetit çdo 8 vjet, parim i cili nuk është mbajtur vetëm në krizën që kaloi vendi në vitin ’97 dhe që rrezikon të mos mbahet në një kohë dhe moment kur PS-në e drejton Edi Rama, i cili, ende pa u certefikuar zgjedhjet e qershorit, filloi një fushatë intesive dhe populiste, sikur të mos kishte qenë ai që i kishte fituar ato zgjedhje, por partia kundërshtare.

Gjithsesi, ashtu siç e tregoi edhe gjatë mandatit të parë, Rama është i presupozuar të gabojë në çdo hap që hedh, ashtu sikurse dihet që mandatet e dyta në Shqipëri janë katastrofike krahasuar me 4-vjeçarin e parë. Kështu i ndodhi dikur socialistëve të Nanos, ashtu i ndodhi edhe demokratëve të Berishës.

Por gabimet e Ramës nuk mjaftojnë për të ardhur PD-ja në pushtet, edhe pse njerëzit në Shqipëri janë të predispozuar më shumë të ndëshkojnë një qeverisje se sa të priren nga besimi dhe shpresa për alternativën e opozitës.

Nëse dikush mendon ndryshe, mjafton të shoh zgjedhjet e përgjithshme që sapo kaluam e të bindet. Njerëzit ishin të pakënaqur me qeverisjen e Edi Ramës, mirëpo ata, njëkohësisht, nuk besuan tek alternativa e opozitës.

Në këtë kuptim, sfida më e madhe e Lulzim Bashës është që të shndërrohet në një lider të besueshëm dhe PD-në ta kthejë në një alternativë qeverisëse.

Ai, tanimë, ka një parti totalisht të tijën dhe nuk ka më asnjë alibi për t’i atribuar të tjerëve disfatat e mundshme.

Së pari, Basha duhet ta kuptojë se aktualisht kredencialet e besueshmërisë së tij, qoftë tek qytetarët, qoftë tek demokratët, janë në kuotat më të ulta. Në këtë drejtim ai duhet të rishoh tek vetja vetëm atë pjesë që ka të bëjë me të. Si lider i partisë më të madhe të opozitës ai, tanimë, duhet të ndajë shapin nga sheqeri, qëndrimet e tij duhet të jenë të hapura, ballazi, të sinqerta, të mos ketë ambiguitet në to e për rrjedhojë të mos ketë keqkuptime nga të tjerët. Ai duhet të mësohet të thotë “Jo!” kur duhet thënë një gjë e tillë dhe të thotë “Po!” kur ta mendojë se po-ja është përgjigjja e duhur. Kjo do t’i bëjë, mbi të gjitha, mirë atij vet, përsa i përket marrëdhënieve me bashkëpunëtorët dhe njerëzit e afërt.

Së dyti, Bashës dhe PD-së do t’i duhet të ndërmarrë aksione dhe veprime të forta që do të shërbejnë për të rikthyer besimin tek elektorati. Ajo duhet të jetë e qartë dhe të mos bëjë asnjë lloj kompromisi me të ashtuquajturit oligarkët e mëdhenj, sot klientë të qeverisë, e nesër të presupozuar klientë të mazhorancës së re demokrate. Interesi qytetar duhet të jetë primar. Pothuajse, të gjitha fijet e lidhura me ish-pushtetin e PD-së janë shkëputur, kështu që në këtë drejtim Bashës do t’i bënte më mirë për vete dhe për PD-në të ishte i qartë me ta.

Së treti, Lulzim Basha duhet të koordinojë retorikën e lartë të fjalëve me aksionin konkret të veprave. Çdo aksion i nisur duhet të jetë i mirëmenduar e nuk duhet lënë në mes të rrugës, përndryshe bëhesh qesharak dhe i pabesueshëm në gjithçka që tenton të ndërmarrësh.

Së katërti, lufta kundër komunizmit është një betejë e humbur në Shqipëri. Komunistët e fituan betejën e tyre që në fillimet e pluralizmit politik në vend. PD-ja është pjesë e këtij gabimi, në këtë kuptim ajo duhet ta ketë të qartë se narrativa antikomuniste asaj nuk i sjell asnjë votë. Ky është diskutim i gjatë, mirëpo harxhimi i forcave dhe i narrativës në këtë drejtim, përveçse është i pabesueshëm, por, mbi të gjitha, është një xhirim i gomave të makinerisë në vend.

Së pesti, narrativa për ekonomi, taksa të ulta, korrupsioni, daljet dhe denoncimet e përditshme publike, duhet të mos fokusohen vetëm tek emri i Edi Ramës, sepse ato ashtu marrin trajtën e betejës vetëm politike dhe nuk kanë për qëllim zgjidhjen e problematikave ose gjetjen e të drejtës. Qytetarët duan të shohin zgjidhje konkrete dhe të besueshme prej tyre më tepër se sa duan të tregohet se kush është fajtori.

Së gjashti, PD-ja duhet të rishoh vetveten me parimin se nuk mund të ndryshojmë Shqipërinë pa ndryshuar më parë veten për mirë. Takimet me njerëzit, dëgjimi i tyre me modesti dhe me përulje, qenia pranë tyre në fatkeqësi dhe në gëzim, duhet të jenë pjesë e pandalshme e përditshmërisë së drejtuesve dhe deputetëve të rinj të PD-së.

Së shtati, Lulzim Basha dhe PD-ja duhet të vijojnë aksionin parlamentar për reformat e mëdha që kanë marrë përsipër për të bërë, qoftë reforma kushtetuese, qoftë ajo elektorale, por, mbi të gjitha, mundësia e rishikimit të reformës territoriale, meqenëse është përfolur shpeshherë që ka qenë një ndër pikat e diskutuara në tavolinën e biesedimeve mes Ramës dhe Bashës.

Këto janë vetëm disa sugjerime modeste, sepse pavarësisht momenteve të vështira që kalon aktualisht PD-ja, gjithsesi, përpara ka një makineri të madhe force dhe elektorale, që për të mbajtur pushtetin dhe për të gjeneruar pushtet është e aftë të bëjë gjithçfarë marrëveshjesh, madje edhe me djallin, mirëpo, po ashtu, është e aftë të gabojë përditë, për orë, për minutë shumë, në gjithçka që bën dhe në gjithçka që realizon.

Article Logic
Execution time: 0.0023901462554932
array(1) { ["section"]=> string(36) "7-sugjerime-per-pd-ne-e-bashes-91627" }